Ilustrimi: cio.com

60 Për Qind e Popullatës Botërore pa Qasje në Internet

Më shumë se 4 miliardë persona nuk kanë qasje në internet në gjithë globin, thekson Banka Botërore në një raport, në të cilin thuhet po ashtu se nga teknologjitë e reja po përfitojnë kryesisht vendet e pasura.

India është vendi me më së shumti njerëz pa qasje në internet (1,1 miliard),  e ndjekur nga Kina (755 milionë) dhe Indonezia (213 milionë), citon AFP raportin e institucionit.

Në total janë 4,2 miliardë njerëz që aktualisht nuk kanë qasje në internet, ose afro 60 për qind e popullatës botërore.

Ndërsa, numri i njerëzve që kanë qasje në internet me shpejtësi të madhe është shumë më i vogël. Sipas Bankës Botërore, vetëm 1,1 miliard njerëz, pra më pak se 15 për qind e popullatës botërore, kanë qasje në internet të shpejtë, raporton AFP.

Banka, megjithatë, thekson se edhe më të varfrit kanë përfituar nga revolucioni teknologjik.

Sipas raportit, ndër 20 për qind e familjeve të varfra në botë, afro 7 në 10 kanë telefon mobil.

“Në fakt, këto familje kanë më shumë gjasa të kenë qasje në telefona mobilë se në tualete ose në ujë të pastër”, thekson presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim.

Po ashtu, numri i personave që kanë qasje në internet në gjithë globin është trefishuar në dhjetë vjet, duke kaluar nga një miliard më 2005 në 3,2 miliardë në fund të vitit 2015.

Mirëpo, prurjet ekonomike nga revolucioni digjital kanë qenë shumë më të vogla nga sa është shpresuar për vendet me të ardhura të ulëta, thekson Banka Botërore.

“Efektet e teknologjisë në prodhimtarinë botërore, përmirësimin e mundësive për të varfrit dhe klasën e mesme, nuk kanë qenë në nivelin e pritjeve”, thekson raporti i saj, në të cilin përmenden disa efekte negative në tregun e punës, raporton AFP.