Mbledhja e qeverisë | Foto: Zyra e Kryeministrit

4 Milionë për 14 Komuna

Për ta bërë këtë qeveria u desh të miratojë Projektligjin për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal.

Paraqitjen e ndryshimeve dhe plotësimeve të këtij ligji në mbledhjen e qeverisë e bëri ministri i Financave Avdullah Hoti.

Hoti duke arsyetuar këto plotësim-ndryshime tha se  pas shtimit të shpenzimeve rrjedhëse kryesisht nga rritja e pagave, formula për shpërndarjen e grantit të përgjithshëm komunal nuk siguron mbulimin e kostos bazë për shërbimet që komunat e vogla me pak banorë ofrojnë për qytetarët.

“Me rastin e rishikimit të buxhetit gjithmonë është dashur të ndajmë buxhet shtesë për komunat e vogla,” tha më tutje Hoti.

E për të evidentuar këtë problem, siç tha ai, ky projektligj ka për qëllim sigurimin e buxhetit minimal të nevojshëm për mbulimin e kostos së shërbimeve komunale në komunat e vogla.

“Me këtë projektligj është paraparë që për një periudhë kalimtare deri në vitin 2019 nga granti i përgjithshëm që u takon komunave që është në shumë prej 10 për qind prej të hyrave të rregullta tatimore, t’u ndahen 4 milionë euro komunave që kanë popullsi më pak se 22 mijë banorë që janë gjithsej 14 komuna,” sqaroi Hoti.

Hoti tregoi edhe mënyrën e ndarjes së kësaj shume. Tha se dy milionë euro u ndahen të gjitha komunave në pjesë të barabarta, ndërsa dy milionë të tjera sipas numrit të banorëve të tyre.

Ministri i Financave tha se këtë ndryshim të ligjit për financat e komunave e ka aprovuar komisioni i granteve në prill të këtij viti para përgatitjes së kornizës së shpenzimeve afatmesme 2017 – 2019.