Ukë Rugova | Foto: KALLXO.com

Ukë Rugovës i Ndryshohet Aktakuza

Seanca fillestare në rastin e Ukë Rugovës dhe të tjerëve lidhur me rastin e vizave Shengen ishte mbajtur më 30 korrik të këtij viti, ndërsa të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm dhe avokatët kishin kundërshtuar aktakuzën e prokurorit Cansick.

Ukë Rugova është djali i vogël i Presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova ndërsa në legjislaturën e kaluar ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës.

Së bashku më Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Duke shqyrtuar këto kundërshtime, gjyqtari Partal i kishte kërkuar prokurorit të ndryshojë aktakuzën sidomos në drejtim të konkretizimit të veprimeve kriminale të të akuzuarve.

Në ndërkohë, për shkak të mbarimit të misionit gjyqtari Partal ishte ndërruar ndërsa në vend të tij rasti i është caktuar gjyqtarit Vladimir Micula.

Micula në seancën e 29 nëntorit të këtij viti kishte kërkuar nga prokuroria që të bëhet konkretizimi i veprimeve inkriminuese.

KALLXO.com tani ka siguruar aktakuzën e ndryshuar ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të akuzuarve tjerë të këtij rasti.

Për dallim nga aktakuza e kaluar e cila parashihte që veprimet inkriminuese të Ukë Rugovës fillonin nga muaji Maj 2011 deri në muajin shkurt 2014, tani periudha inkriminuese për Rugovën sipas prokurorisë fillon nga 31 korriku 2012 deri më 5 shkurt 2014.

http://kallxo.com/uke-rugova-deklarohet-i-pafajshem/

Sipas aktakuzës, Ukë Rugova në periudhën e përmendur ka krijuar organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar aktivitetet e një grupi kriminal qëllimi i të cilit ishte përfitimit material duke furnizuar individë me Viza Shengen të BE-së nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes korrupsionit.

uka-fx

Gjithnjë sipas aktakuzës, nga 31 korriku 2012 deri më 5 shkurt 2014 Ukë Rugova ka udhëhequr me grupin kriminal në marrjen e 556 vizave italiane Shengen nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.

http://kallxo.com/sa-vjet-burg-rrezikon-uke-rugova/

Në këtë periudhë, sipas aktakuzës, Ukë Rugova ka udhëhequr grupin e organizuar kriminal në marrjen, tentimin për të marr ose dukë bërë përpjekjet përgatitore për të marr të paktën 850 viza tjera italiane Shengen.

Në aktakuzë shkruan se Ukë Rugova nga 31 korriku 2012 deri më 14 maj 2013 ka udhëhequr me grupin i vetëm ndërsa nga të paktën 15 maji 2013 ai e ka udhëhequr grupin kriminal së bashku me Izet Beqirin.

Ukë Rugova është Ndaluar nga Policia (TV)

Për dallim nga aktakuza paraprake e cila kishte 16 pika të aktakuzës, aktakuza e ndryshuar tani ka 26 pika të akuzës.

I kontaktuar nga KALLXO.com avokati i Ukë Rugovës Nexhat Shabani tha se e ka pranuar aktakuzën  e ndryshuar.

“Sot e kemi pranuar aktakuzën por si duket prokurori nuk e ka kuptuar drejt urdhrin e gjykatësit që ta ndryshoj që juridikisht nënkupton kualifikimin juridik të veprës e jo vetëm përshkrimin faktik”, tha Shabani.

Shabani tha se mbrojtja do t’i paraqesë kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës në seancën e 11 janarit.

Prokurori Cansick në aktakuzën e tij ka propozuar 178 dëshmitarë për t’u marrë në pyetje gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Dosjen e rastit të Ukë Rugovës mund ta lexoni në këtë link.