Ilustrim

Ujësjellësi 'Prishtina' hedh fajin te Komuna për vërshimet në kryeqytet

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka fajësuar Komunën e Prishtinës për vërshimet që ndodhën ditën e djeshme në kryeqytet, pas reshjeve të dendura të shiut.

Nëpërmjet një shkrimi, KRU Prishtina, thotë se linjat e kanalizimit të ujërave fekale dhe atmosferikë janë të përbashkëta dhe të vjetra, ndërsa Komuna e Prishtinës është dashtë të intervenoi në infrastrukturën ekzistuese, pas rritjes të tejskajshme të numrit të banorëve në kryeqytet.

“Ujësjellësi i Prishtinës ka një buxhet të paraparë për investime në këtë sektor, gjithsesi ka edhe ekipet profesionale që merren me mirëmbajtjen e sistemeve të kanalizimeve të ujërave të ndotura fekale por asesi nuk mirëmban as nuk ndërton rrjeta të kanalizimeve atmosferike, pasi që kjo përgjegjësi i takon vetëm Komunës së Prishtinës për rajonin që e mbulon”, thuhet në reagimin e KRU Prishtina.

Tutje thuhet që Ujësjellësi është në kontakt me Komunën e Prishtinës rreth kësaj çështje dhe në bazë të takimeve kohë më parë, është konfirmuar që nuk ka linja buxhetore për investime në ndërrime të rrjetave të kanalizimeve.

“Ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit të KRU Prishtina janë të gatshëm çdoherë që tu dalin në ndihmë qytetarëve në rastet ku kemi të bëjmë më debllokime të pusetave të ujërave fekale, por duhet të kihet parasysh që vërshimet pas reshjeve nuk ndodhin për shkak të punës dhe përgjegjësisë tonë”, thuhet në fund të reagimit.