Ujësjellësi i Prizrenit anashkalon Ligjin e Prokurimit për blerjet e imëta

Kompania e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren e ka shmangur Ligjin e Prokurimit Publike për blerjet e imëta që i ka realizuar.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se shmangja e ligjit ka qenë e shpeshtë dhe rrezikon që kompania të dëmtoj buxhetin dhe të mos arrij vlerën për paranë e shpenzuar si dhe ndikon në kufizim të konkurrencës.

Nga 28 pagesat e testuara Auditori ka gjetur se kompania “ Hidroregjioni Jugor” kishte bërë blerje direkt nga operatorët ekonomik duke anashkaluar procedurat e prokurimit.

Rastet e identifikuara të blerjeve pa procedura të prokurimit janë:

  • 61 pagesa për shpenzime materiale, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 3,182€;
  • 90 pagesa me tre operatorë ekonomik të ndryshëm për shpenzime të mirëmbajtjes së automjeteve, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 5,735€;
  • Pagesa e 5 (pesë) biletave të aeroplanit me vlerë 1,375€;
  • 22 pagesa për furnizim me material higjienik, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 470€;
  • 14 pagesa për furnizim me pajisje, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 1,372€; dhe
  • 20 pagesa për furnizim me pjesë, vlera e përgjithshme e të cilave ishte 1,181€.

Auditori ka rekomanduar që të përdorën procedurat e prokurimit për blerje të tilla.

“Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se janë marrë të gjitha veprimet për forcimin e kontrolleve të brendshme për të bërë një vlerësim dhe planifikim të nevojave të kompanisë dhe artikujt e ngjashëm të grupohen dhe të përdoren procedurat e prokurimit sipas kërkesave të Ligjit për procedurat e Prokurimit, duke shmangur ndarjen e blerjeve të njëjta”, thuhet në raportin e Auditorit.

Kryesuesi i Bordit nuk e komentuar këtë të gjetur nga Auditori, duke mos e kundërshtuar.