Çezme - Foto: KALLXO.com

Ujësjellësi i Mitrovicës u Jep 'Ultimatum' Qytetarëve për Pagesa të Faturave

Kompania që kryen furnizimin me ujë të rajonit të Mitrovicës ka paralajmëruar për shkyçje dhe reduktime meqë sipas tyre borxhi total i qytetarëve ndaj kësaj kompanie ka arritur 31 milionë euro.

Ujësjellësi “Mitrovica”(KRUM) ka shpërndarë një njoftim përmes faqes së “Facebook”-ut të Komunës së Mitrovicës ku ka treguar për masat që do të ndërmerren për t’u ulur borxhi i lartpërmendur.

“Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”(KRUM) është duke u ballafaquar me një situatë të rënduar financiare me ç’rast është vënë në pikëpyetje funksionimi normal dhe furnizimi i rregullt me ujë të pijes i popullatës së regjionit të Mitrovicës”, shkruan në njoftim.

KRUM ka vendosur që të marrë hapa drejt aplikimit të reduktimit të furnizimit me ujë të pijes në zonat ku niveli i pagesës së faturave të ujit është i ulët, aplikimit e shkyçjeve individuale për personat/subjektet borxhi i të cilëve kalon shumën mbi 100€, si dhe procedimin e lëndëve tek gjykata/ përmbaruesi privat, me ç’rast konsumatori do të bartë shpenzimet e gjykatës.

Kompania ka bërë të ditur arsyet pse po ndërmerr këto masa.

“Ndërmarrja e këtyre veprimeve nga ana jonë ka për qëllim që të mos vjen deri tek paralizimi i furnizimit me ujë të pijes për qytetarët/konsumatorët të cilët janë të rregullt me pagesat e faturave të tyre në njërën anë dhe mosndërprerja e funksionimit normal të kompanisë në anën tjetër”, thuhet në njoftim.