Ugur Toksoy. Foto: Kallxo.com

Ugur Toksoy: Gjatë Seancës, Prokurori Shfletonte Katalogun e Supermarketit

Ugur Toksoy, shtetasi turk me banim në Kosovë që në muajin tetor u arrestua me kërkesën e Turqisë nën akuzat për terrorizëm, tha se nuk është trajtuar mirë nga prokurori i rastit, Ali Rexha.

Toksoy, i cili dyshohej të ketë lidhje me lëvizjen opozitare turke të drejtuar nga Fetullah Gulen që jeton në ekzil në SHBA, foli për herë të parë ekskluzivisht në emisionin ‘Jeta në Kosovë’. Autoritetet turke gjithashtu kanë lëshuar fletarrest ndaj tij.

Toksoy, për të cilin sot u refuzua kërkesa për ekstradim në Turqi, tregoi për një rast ku sipas tij Prokurori Ali Rexha nuk kishte dëgjuar fare se çfarë kishte për të thënë avokati i tij mbrojtës.

“Avokati im, zotëri Ademi ishte afër meje duke e bërë mbrojtjen, ai [Ali Rexha], as nuk e dëgjoi atë, e mori listën e zbritjeve të ‘Viva Freshit’ dhe e shikonte atë se çka ishte më lirë”, tha Toksoy.

Përballë Jeta Xharrës, Toksoy foli edhe për mënyrën e arrestimit të tij, dhe vlerësoi veprimet e institucioneve të Kosovës për të zbatuar kërkesat politike të Turqisë.

“Kurrfarë problem nuk kam pasur deri tash, hera e para hyra në burg dhe nuk kemi kurrfarë lidhje as nga afër as nga larg me një akuzë të tillë për terrorizëm. “Unë kisha pasë dëshirë që Kosova, si një shtet europian, të mos e ndjekë një diktator”, tha ai.

Ugur Toksoy, i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më datë 27 tetor ndërsa më 28 atij iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Sot ndaj tij është tërhequr aktakuza dhe është refuzuar kërkesa për ekstradimin e tij në Turqi.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’, këtë javë i është dedikuar marrëdhënieve të Kosovës me Turqinë.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: