Inspektimi i stadiumit të Prishtinës. Foto: Kallxo.com

UEFA e pakënaqur me punimet në stadiumin e Prishtinës

Zyrtarë të UEFA-s janë ndarë të pakënaqur me punët në stadiumin e Prishtinës.

Kështu ka bërë të ditur vetë Federata e Futbollit të Kosovës përmes një njoftimi për media.

Zyrtarët e UEFA-s kanë kërkuar që të ketë më shumë angazhim që punimet të përfundojnë sa më parë.

“Të martën krerët e FFK-së u takuan me zyrtarë dhe inspektorë të UEFA-së, të cilët vizituan stadiumin e Prishtinës ku shfaqen shqetësimet e tyre për rrjedhën e punimeve duke sugjeruar një angazhim më të madh të FFK-së, MKRS dhe punëkryerësit në mënyrë që punimet të përfundojnë sa më parë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Këto deklarata janë bërë publike sot në takimin që ka pasur Komiteti Ekzekutiv i Federatës.

Përveç shqetësimit të zyrtarëve të UEAF-s, në këtë mbledhje është biseduar edhe për projektin e ndërtimit të 12 fushave stërvitore dhe qendrës teknike stërvitore në Obiliq.

Mbledhja e sotme e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së ka filluar me 1 minutë heshtje për vdekjen e ish kryetarit të Federatës, Fadil Vokrri, që vdiq para disa ditësh.