Udhëzim Administrativ për unifikimin e çmimeve të barnave

Udhëzimi Administrativ i nënshkruar nga Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili në bashkëpunim me Odën e Farmacistëve të Kosovës do të obligoj barnatoret që të kenë çmime të njëjta të barnave.

Ministri Ismaili tha se tashmë pritet që do të ketë konkurrencë mes barnatoreve vetëm për shërbime.

“Me sistemin unik do të arrihet që pa marrë parasysh a do të blihen në fshatra apo qytete çmimi i barnave të jetë i njëjtë. Ne në Kosovë blejmë 10 milionë euro më shtrenjtë se qytetarët në Maqedonisë apo Shqipërisë”, tha Ismaili.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha se pengesa do të ketë por që ky sistem duhet të rregullohet.

“Të jeni i sigurtë se do të keni sukses, 10 milionë euro do t’i shpëtohen njerëzve në nevojë”, tha Veseli.

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës Arianit Jakupi tha se sektori farmaceutik ka pasur çrregullim duke bërë që të flitet vetëm për çmime mes pacientit e farmacistit.

“Aktualisht çmimet kanë diskrepancë mes veti dhe natën çmimet rriten shumëfish e sidomos ato për raste emergjente viktimë e të cilës kam qenë edhe vetë personalisht”, tha Jakupi.

Muhamet Alikodra nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve tha se ky udhëzim është i domosdoshëm për qytetarët, marrë parasysh se qytetarët e Kosovës janë të privuar nga shërbimi cilësor shëndetësorë.

“Qytetari ynë jeton 10 vite më pak se qytetarët në Evropë, kemi trefish më pak vizita te mjeku se sa në Evropë. Në raportin e fundit të progresit thuhet se një e treta kanë qasje të kufizuar në shërbime shëndetësore, një numër i konsiderueshëm përderisa paguajnë nga xhepi ju shkaktohet shpenzime”, tha ai.

Sipas tij nuk duhet të ketë entuziazëm të tepruar për këtë udhëzim sepse janë bëre pesë vite nga miratimi i ligjit për sigurime shëndetësore dhe ende nuk është parë implementim.

Para disa ditësh, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë të ditur se kanë vendosur që ta lejojnë Ministrinë e Shëndetësisë që ta bëjë përcaktimin çmimeve të barnave në nivel të vendit.

Autoriteti i Konkurrencës ishte kontaktuar nga ana e Ministrisë se Shëndetësisë për t’u njoftuar, mbi Draft Udhëzimin Administrativ për Rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale për herë të parë në Republikën e Kosovës.

Sipas njoftimit, deri te ky vendim ka ardhur pas marrjes se evidencave praktike nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, rreth përcaktimit të çmimit të barnave në nivel të shitjes me shumicë dhe pakicë.

https://kallxo.com/autoriteti-i-konkurrences-lejon-ministrine-e-shendetesise-te-percaktoje-cmimet-e-barnave/

.