Ish rektori Enver Hasani, në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Udhëtimi i Rektorit-Dëshmitar Shtyn Seancën ndaj Enver Hasanit

Seanca e ndaj ish rektorit të UP-së, Enver Hasani, e cila ishte caktuar të mbahej për sot, është shtyrë pas kërkesës së dëshmitarit që ka qenë i paraparë sot, Rektori aktual Marjan Dema i cili gjendet në një vizitë në SHBA.

Kryetari i trupit gjykues e ka caktuar mbajtjen e seancës për 1o tetor.

Në këtë rast, Enver Hasani së bashku me Hakif Veliun dhe Albert Rakipin akuzohen për mashtrim në detyrë në lidhje me përkthimet e disa teksteve universitare nga gjuha angleze në gjihën shqipe.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se, sipas marrëveshjes paraprake, kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Në dhjetor të vitit të kaluar Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

KALLXO.com e ka përcjellë vazhdimisht këtë proces gjyqësor.