Dafina Halili, Leonida Molliqaj dhe Zhelko Tvrdishiq, fituesit e garës për storjen më të mirë në raportim për të drejtat e njeriut. Foto: Atdhe Mulla

U Ndanë Çmimet Gazetareske për Raportim në Fushat e të Drejtave të Njeriut

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN Kosova, në bashkëpunim me Qendrën e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC), organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve për tri storiet më të mira gazetareske në çështje të të drejtave të komuniteteve pakicë, të drejtat e gruas dhe të komunitetit LGBT, të transmetuara në mediat televizive, shtyp apo online.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, duke i përshëndetur të pranishmit dhe fituesit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, tha se raportimi për të drejtat e njeriut është i rëndësishëm për ngritjen e vetëdijesimit të institucioneve dhe shoqërisë në shumë çështje të ndjeshme.

“Ne në Ambasadën e Holandës e promovojmë progresin e Kosovës në rrugën drejt BE-së dhe sundimi i ligjit është çështje kryesore e fokusit tonë. Roli i medias në shoqëri është shumë i madh në promovimin e të drejtave të njeriut dhe këtë rol media duhet ta luajë me përgjegjësi dhe profesionalizëm”, tha Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Gerrie Willems.

“Edhe gazetarët, sikur çdo institucion në Kosovë, mund të luajnë rol pozitiv në vetëdijesimin për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Nuk mund të ketë mbrojtje adekuate të të drejtave të njeriut pa promovim adekuat të këtyre të drejtave”, tha Hilmi Jashari, Avokat I Popullit.

“Po më vjen mirë që kohëve të fundit është duke u raportuar shumë për të drejtat e gruas, për dhunën që gratë përjetojnë. Ka pasur shumë aplikacione dhe juria ka pasur shumë punë për t’i përzgjedhur tre më të mirët”, tha Jeta Xharra, Drejtore e BIRN Kosova.

Juria e përbërë nga gazetarë profesionistë dhe ekspertë të të drejtave të njeriut, pasi ka shqyrtuar aplikacionet e pranuara, ka vlerësuar tre artikujt më të mirë:

Çmimi i Parë: Dafina Halili, “Kosova 2.0”, me artikullin “Përtej përhapjes së fruthit” ku pasqyron hezitimin për vaksinim të fëmijëve gjë që ndikon negativisht në shëndetin e fëmijëve. Dafina Halili ka vazhdimësi në raportimin në fushën e të drejtave të njeriut në çështjet e të drejtave të fëmijëve, grave dhe komunitetit LGBT me një qasje shumë origjinale në trajtimin e problemeve dhe në rrëfim.

Çmimi i Dytë: Leonida Molliqaj, “PreportR”, me artikullin “Fushata e burrave” ku ka ofruar të dhëna unike në Kosovë se si partitë politike ndajnë buxhet dhe sa angazhohen ne avancimin e pranisë se gruas në institucione publike dhe statusin e gruas brenda vetë partive politike. Hulumtimi i saj shërben për ta ngritur ngrit debat publik në shoqëri rreth përfaqësimit të gruas.

Çmimi i Tretë: Zeljko Tvrdisic, “TV Mir”, me storjen televizive “Mbrojtja e grave nga dhuna” ku ka trajtuar temën e ndjeshme të dhunës ndaj grave duke ofruar rekomandime konkrete për ta zgjidhur çështjen në fjalë. Storja e tij ka treguar një pasqyrë të gjendjes në veri të Kosovës, dhe problemet që sjell mungesa e një strehimoreje për trajtimin e grave që janë viktimë e dhunës.

Nëpërmjet kësaj iniciative, BIRN dhe ACDC, në kuadër të Projektit “OmbudsWatch – Promovimi i Rolit të Avokatit të Popullit në Kosovë”, të mbështetur nga Ambasada e Holandës në Kosovë, besojnë se shpërblimi i gazetarëve me çmime për mbulimin e suksesshëm dhe objektiv të temave të interesit tonë, kontribuon më tej në drejtim të mobilizimit më të gjerë në të ardhmen.

Foto: Atdhe Mulla