Donald Tusk - Foto: Facebook

Tusk: Jeni më europianë se disa europianë të BE-së

Shqipëria mori vlerësimin maksimal nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk në dy pika.

Në deklaratën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama, së pari ai renditi pozicionimin e palëkundshëm të Shqipërisë krah aleatëve europianë dhe Shteteve të Bashkuara.

Si shembull solli reagimin pas sulmit me agjentë nervorë ndaj ish-agjentit rus, Sergei Skripal.

“Shqipëria e tregoi me rastin Skripal se është një nga partnerët më besnikë të Bashkimit Europian”, tha ai.

Ndërsa pika tjetër ishte toleranca fetare.

“E përmbyll duke i bërë homazh markës unike të Shqipërisë- tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, cilësi që vijojnë të jenë tepër të rëndësishme për botën e sotme. Këto janë themelet që mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët dhe kam ndjesinë personale që jeni më europianë ju këtu se disa europianë të BE”, deklaroi kreu i Këshillit Europian.