Disa persona duke protestuar kundër ngjarjeve në kufirin në Gaza - Foto: REL/AFP

Turqia kërkon largimin e ambasadorit izraelit pas vrasjeve në Gaza

Turqia i ka thënë ambasadorit të Izraelit të largohet nga shteti, pasi forcat izraelite kanë vrarë 60 palestinezë gjatë protestave në kufirin në Gaza, në të cilat kundërshtohej hapja e ambasadës amerikane në Jerusalem, transmeton Reuters.

Turqia ka qenë një nga vendet më kritike ndaj hapave të Izraelit kundër protestave në Gaza, duke kërkuar një takim urgjent të kombeve islamike për të premten.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka përshkruar vrasjet e së hënës si gjenocid derisa Izraelin e ka cilësuar shtet terrorist.

“Ambasadorit të Izraelit i është thënë se i dërguari jonë në Izrael duhet të vijë këtu për t’u konsultuar dhe është informuar se do të ishte mirë që edhe ai të shkojë në shtetin e tij për një kohë”, ka bërë të ditur një burim i Ministrisë së Jashtme turke.

Zëdhënësi i Qeverisë, Bekir Bozdag i ka thënë parlamentit turk se Turqia i mban përgjegjëse edhe Shtetet e Bashkuara për dhunën e së hënës.

Marrëdhëniet në mes të Ankarasë dhe Uashingtonit, dy aleatëve të NATO-s janë tensionuar për shkak të vendimit të SHBA-së për të bartur ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe për mosmarrëveshjet rreth prezencës ushtarake në Turqisë në veri të Sirisë.

Në Stamboll dhe Ankara janë mbajtur protesta kundër Izraelit, derisa Erdogan ka thënë se të premten do të organizohet një marsh për të protestuar për vrasjet. (REL)