Tryeza për përfaqësimin gjinor në komunat e Kosovës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së dhe emisionin “Jeta në Komunë” kanë organizuar tryezën e diskutimit me temë “Përfaqësimi gjinor në nivelin lokal – 1 vit pas zgjedhjeve lokale”.

Në këtë tryezë, e cila u udhëhoq nga autorja e emisionit “Jeta në Kosovë”, Jeta Xharra, morën pjesë përfaqësues nga komunat, Qeveria, shoqëria civile dhe mediat.

Të pranishmit kanë diskutuar bashkërisht progresin e arritur dhe sfidat sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor në strukturat e vetëqeverisjes lokale.

Kjo ngjarje kishte për qëllim të paraqes situatën aktuale të përfaqësimit gjinor në nivelin lokal një vit pas zgjedhjeve lokale.

Gjatë kësaj tryeze si shqetësim kryesor u ngrit çështja e mosrespektimit të Ligjit për Barazi Gjinore nga kryetarët e komunave.

Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, prezantoi para të pranishmëve rezultatet e Monitorimit të përfaqësimit gjinor në komuna.

Ajo ndër të tjera tha se si Ministri janë të vendosur që të shtyjnë përpara çështjen e përfaqësimit gjinor.

Ukimeraj tha se MAPL-ja tashmë veç i ka paditur komunat për të cilat kanë konsideruar se nuk e kanë respektuar Ligjin për Barazi Gjinore dhe se momentalisht janë në pritje të një vendimi nga gjykata.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe kryetarët e Komunave të Gjakovës, Ardian Gjini, të Kamenicës, Qëndron Kastrati, të Shtimes  Naim Ismajli si dhe Kristina Gashi-Bytyqi kryesuese e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, të cilët para të pranishmëve paraqiten rezultatet lidhur me përfaqësimin gjinor në komunat e tyre.

Po ashtu, gjatë kësaj tryeze, monitoruesja e BIRN-it në komuna për barazi gjinore, Blerta Iberdemaj paraqiti gjetjet e një hulumtimi të realizuar nga organizata BIRN, i cili hulumtim pasqyroi se sa kryetarët e komunave janë duke e respektuar Ligjin për Barazi Gjinore, duke i krahasuar premtimet e kryetarëve të komunave para dhe pas zgjedhjeve, premtime të cilat janë matur me Krypometër, produktin e KALLXO.com për vërtetësinë e deklaratave publike.

Ndërsa Edi Gusia nga Agjencia për Barazi Gjinore pos që drejtoi kritika në drejtim të kryetarëve të komunave “se nuk janë duke e respektuar Ligjin për Barazi Gjinore”, shtoi se ata duhet të kenë prioritet edhe çështjen e strehimoreve, për të cilat tha se vazhdimisht po përballen me probleme ekzistenciale, pasi që nuk kanë mjete të mjaftueshme dhe të sigurta për të ushtruar veprimtarinë e tyre.

Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, si dhe përfaqësuesit nga OSBE-ja dhe Ambasada amerikane ngritën shqetësimin e tyre për mosrespektimin e Ligjit për Barazi Gjinore, duke kërkuar nga kryetarët e komunave që në të ardhmen t’i përmbahen këtij Ligji.