Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump - Foto: REL/EPA-EFE

Trump thotë se Rusia duhet të rikthehet në G7

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se G7-ta, apo grupi i vendeve më të industrializuara, “duhet ta lejojë Rusinë të kthehet në këtë grup elitar”, katër vjet pas përjashtimit të saj, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Ai i bëri këto komente përpara nisjes së samitit treditor të G7-ës në Kanada.

“Ne takohemi pa Rusinë. Ata duhet ta lejojnë Rusinë, sepse duhet ta kemi atë në tryezën negociuese”, tha Trump.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj, duke thënë se Rusia “po e përqendron vëmendjen e saj në formate të tjera, jashtë G7-ës”.

Kanadaja tha se kundërshtimi i saj për ripranimin e Rusisë “nuk ka ndryshuar”, ndërsa një zëdhënës i Qeverisë italiane tha se Roma pajtohet me Trumpin se Rusia duhet të jetë në grup.

G7-ta përbëhet nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania.