Trump: Samiti në Singapor, shansi i vetëm për Korenë e Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se samiti i tij me liderin verikorean Kim Jong Un, është shans që ndodh vetëm “një herë” për Korenë e Veriut.

Trump dhe Kim pritet të takohen në Singapor më 12 qershor.

Këto komente presidenti amerikan i bëri gjatë një konference për media në margjinat e samitit të G7-ës që po mbahet në Kanada, pak kohë para se të nisej drejt Singaporit.

Trump gjithashtu tha se ai do ta dijë “brenda një minute” nëse Kim është serioz për të hequr dorë nga armët e tij bërthamore.

Ai shtoi se zyrtarët amerikanë dhe ata verikoranë kanë punuar bashkërisht në Singapor për ta përgatitur këtë takim historik.