Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin - Foto: REL/AFP

Trump e Putin diskutojnë për një marrëveshje të re bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka biseduar për më shumë se një orë përmes telefonit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Ata kanë diskutuar një sërë çështjesh, përfshirë mundësinë e një marrëveshjeje të re bërthamore shumëpalëshe ndërmjet SHBA-së, Rusisë dhe Kinës apo edhe mundësinë e vazhdimit të marrëveshjes aktuale bërthamore ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë. Temë diskutimi ka qenë edhe situata në Venezuelë si dhe denekluarizimi i Koresë së Veriut.

Të dy presidentët diskutuan edhe për raportin e Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Presidenti Trump përmes një postimi në Twitter e quajti të mirë bisedën me presidentin Putin.

“Kisha një bisedë të gjatë dhe shumë të mirë me presidentin Putin. Siç kam thënë gjithmonë, shumë kohë përpara fillimit të “Gjuetisë së shtrigave” [shënim i redaksisë: Presidenti Trump i referohet në këtë mënyrë hetimeve të Muellerit], duke u bashkuar me Rusinë, Kinën dhe të gjithë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe”, shkruan Trump.

Më herët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha se sa i përket hetimeve të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller, ishte mesazh i përbashkët i Trumpit dhe Putini se “kjo çështje ka marrë fund dhe se nuk ka pasur bashkëpunim”.