Presidenti amerikan, Donald Trump.

Trump do të sfidohet edhe nga republikanët për zgjedhjet 2020

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të përballet me sfida brenda Partisë së tij Republikane, përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Ish-guvernatori i Masaçusets, Bill Weld, shpalli kandidaturën e tij për president të SHBA-së, duke u bërë republikani i parë që do ta sfidojë Trumpin në vitin 2020.

“Unë vërtet mendoj se nëse edhe gjashtë vjet kemi gjëra të njëjta nga Shtëpia e Bardhë, të tilla si në dy vjetët e fundit, do të ishte tragjedi politike”, tha Weld për CNN-in.

Por, udhëheqësit e Partisë Republikane e hodhën menjëherë poshtë fushatën e tij.

“Çdo përpjekje për të sfiduar nominimin e presidentit është e prirë të mos çojë askund”, tha përmes një deklarate Komiteti Kombëtar Republikan.

Sipas sondazhit më të fundit të kompanisë amerikane Gallup, 89% e votuesve republikanë e mbështesin presidentin Trump.

Nga Partia Demokratike, disa zyrtarë kanë shpallur tashmë kandidaturën për president.