Tribunali tregon ku do ta vuajë burgun Radovan Karaxhiq (VIDEO)

Zëdhënësja e Gjykatës së Kombeve të Bashkuara, Helena Eggleston tha se Radovan Karaxhiq nuk do ta vuajë burgun në Hagë por do të dërgohet në njërin nga vendet që kanë nënshkruar marrëveshje me Kombet e Bashkuara.

“Njerëzit e dënuar nga Tribunali i Hagës dhe Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare nuk e vuajnë dënimin në Hagë por dërgohen në njërin nga vendet të cilët kanë nënshkruar marrëveshje me Kombet e Bashkuara”, tha ajo pas vendimit të Tribunalit të Hagës që dënoi me burg të përjetshëm Karaxhiqin.

Eggleston theksoi se rritja e dënimit nga 40 vjet burgim në burgim të përjetshëm thotë shumë për nivelin e krimeve të kryera nga Radovan Karaxhiq.

“Radovan Karaxhiq ishte njëri nga liderët e profilit të lartë dhe lideri politik i serbëve të Bosnjes në atë kohë. Fakti që vendimi mbulon 21 komuna dhe shumë viktima thotë shumë për rëndësinë e vendimit. Fakti që Dhoma e Apelit e ka rritë dënimin nga 40 vjet burgim në burgim të përjetshëm thotë shumë për nivelin e krimeve të kryera dhe për të cilat Radovan Karaxhiq është dënuar sot”, deklaroi Eggleston.

Në shpallje të verdiktit, gjykatësi tha se të gjitha pikat e akuzës së shkallës së parë janë konfirmuar përveç disa incidenteve në aktakuzë në më shumë se 20 komuna gjatë luftës në Bosnjë.

Dhoma e Apelit është pajtuar me konkluzionin e prokurorëve se lartësia e krimeve të kryera është shumë më e madhe se dënimi prej 40 viteve të dhëna ndaj Karaxhiqit në shkallën e parë, të shpallur në vitin 2016.

Në vendimin e shkallës së parë në mars të vitit 2016, Karaxhiq u dënua me 40 vjet burg pasi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë civile të Sarajevës me një fushatë të gjatë bombardimi dhe sulmesh me snajpera, si edhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Ai u lirua nga akuzat për gjenocid në shtatë komuna të tjera boshnjake në vitin 1992.

Si mbrojtja dhe prokuroria kanë apeluar kundër vendimit të vitit 2016.

Prokurorët argumentuan se Karaxhiqi duhet të shpallet fajtor edhe për gjenocid në vitin 1992 dhe të dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa mbrojtja kërkoi që ai të lirohej në të gjitha akuzat, duke insistuar që ai nuk pati një gjykim të drejtë në shkallën e parë.

Dhënia e vendimit do të fillojë në orën 14:00 me orën lokale në Hagë. Megjithatë, duke u larguar nga praktika e zakonshme në gjykatën e Hagës, vendimi nuk do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e internetit të gjykatës.

Në vend të kësaj, gjykata do t’i transmetojë procedurat me vonesë kohore prej 30 minutash.

Vendimi do të transmetohet me këtë vonesë kohore për arsye sigurie, pas vetëvrasjes në sallën e gjyqit të ish-gjeneralit kroat të Bosnjës, Slobodan Praljak, i cili piu helm ndërsa jepej vendimi për të, drejtpërdrejtë në faqen e internetit të gjykatës në nëntor 2017.

Praljak, i cili u gjet fajtor për persekutim të civilëve në disa komuna në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë luftës dhe vdiq menjëherë pas kësaj.

Më shumë se 250 përfaqësues mediash janë akredituar për vendimin e ditës së mërkurë, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave të viktimave të luftës në Bosnje dhe nga disa mbështetës të Karaxhiqit.

https://kallxo.com/radovan-karaxhiq-denohet-me-burg-te-perjetshem/

https://kallxo.com/video-gezimi-i-familjeve-te-viktimave-pas-denimit-te-karaxhiqit-me-burg-te-perjetshem/

https://kallxo.com/reagimet-pas-denimit-me-burg-te-perjetshem-per-radovan-karaxhiqin/

www.kallxo.com