Burimi Buxhovi

Tri vëllimet e fundit të projektit ‘Kosova’ promovohen në Shkup

Botimi në tri vëllime “Kosova” VI, VII dhe VIII, të Jusuf Buxhovit, është promovuar dje në mbrëmje në Qendrën Informative Kulturore, në Shkup të Maqedonisë.

Lajmi për Kallxo.com është konfirmuar nga vet autori i monografisë, sipas të cilit “Kosova” në tetë vëllime paraqet certifikatën historike të shtetit të Kosovës, në të cilën, Dardania antike lidh botën ilire-trake me Maqedoninë si pjesë të saj e pandashme në kuadër të qytetërimit antik.

Në këtë aspekt, autori theksoi se i ka kushtuar rëndësi të veçantë raporteve dardane-ilire dhe maqedone në mesjetë, ku ka burimin identiteti historik shqiptar si dhe formacionet shoqërore dhe politike mbi të cilat qëndron ai në një vazhdimësi deri në shekullin XX, kur do të shfaqet edhe shteti shqiptar.

Buxhovi vlerësoi se pjesa më e madhe e Maqedonisë mesjetare ka qenë e përfshirë në të gjitha këto procese, veçmas ato nga kriza lindore e këndej në kuadër të vilajetit të Kosovës si qendër politike dhe kulturore të shqiptarizmit.

“Ky zhvillim historik pasqyrohet më së miri me kryengritjet e vitit 1908 dhe ato të vitit 1912, me ç’rast, në Shkup, Hasan Prishtina, në gusht të atij viti, arriti marrëveshjen me Perandorinë Osmane për krijimin e Shqipërisë Osmane (bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një), që u bë shkak për shpërthimin e luftërave ballkanike, që për pasojë patën pushtimin dhe copëtimin e trojeve shqiptare nga Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia”, ka thënë ndër të tjera Buxhovi me rastin e promovimit të librit të tij në Shkup.