Foto: Valdrin Lluka/Facebook

'Trepça' regjistrohet si Shoqëri Aksionare në ARBK

Ndërmarrja “Trepça” është regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare (ARBK) si Shoqëri Aksionare.

Këtë e ka konfirmuar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka i cili ka thënë se tashmë zyrtarisht punëtorët e “Trepçës” janë bërë pronarë të kësaj ndërmarrje.

“Moment historik! Trepça regjistrohet si shoqëri aksionare. Të dashur minatorë e qytetarë, sapo u regjistrua Trepça si Shoqëri Aksionare! Tashmë edhe zyrtarisht punëtorët e kësaj ndërmarrje janë pronarë të këtij gjiganti metalurgjik. Urime!”, ka shkruar Lluka në Facebook.

Lluka ka treguar se ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ia ka dorëzuar certifikatën e biznesit të shoqërisë aksionare “Trepça”.

Kjo certifikatë e biznesit i është dorëzuar ministrit Lluka dhe kryetarit të Bordit të Trepçës, Ardian Syla.

“Kemi shumë punë për të bërë, por ky hap historik definitivisht do të lehtësoj çdo proces tash e tutje dhe për këtë ndjehem i lumtur”, ka shkruar Lluka.

Ministri Lluka ka falenderuar të gjithë ata që kanë ndihmuar në këtë proces, përfshirë të gjithë anëtarët e Bordit të Trepçës, menaxhmentin, sindikatën, qeverinë dhe veçanërisht deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Foto: Valdrin Lluka/Facebook