‘Treni Bullgar’ në Prizren Nxit Polemika PDK- VV

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ sonte u diskutua për mënyrën dhe procesin e zgjedhjeve të 22 tetorit dhe balotazhin e 19 nëntorit.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, i pyetur se pse nuk ka ankesa nga ana e partisë së tij për procesin zgjedhor tha se komisionerët dhe vëzhguesit e LVV-së, nuk kanë lejuar që të keqpërdoret vota.

“Kemi investu jashtëzakonisht shumë në mbrojte të votës, dhe mendoj që ky zvogëlim drastik i mundësime me keqpërdor votën është meritë e komisionerëve dhe vëzhguesve të VV dhe mendoj që për këtë problem kanë dalë ankesat pasi nuk i kemi leju ta keqpërdorin votën siç janë mësuar. Kemi mësuar shumë se përmes këtyre ankesave po tregojnë se çfarë mënyra kanë përdorur për të keqpërdorur vota. Është mirë që nuk ia kemi lanë me shfrytëzu këtë”, tha Bislimi.

E pasi që përmendi keqpërdorimet që janë bërë me vota zgjedhjet e kaluara, përfaqësuesi i PDK-së, Abelard Tahiri akuzoi VV-në se e ka shfrytëzuar hapësirën për të keqpërdorur votat.

“Ju e keni shfrytëzu këtë hapësirë, jo jo s’ka ndodh asnjëherë as nuk është ndalë rryma, as në të kaluarën s’ka ndodhë. Ne çka po kërkojmë janë ripërsëritur zgjedhjet ne po kërkojmë është një hetim i procesit zgjedhor. Është hera e parë që secila klasë e ka pasur një vulë tjetër, hetimi ka me ndodhë kështu secila klasë e ka pasur vulën ndryshe dhe ne kërkojmë hetim me i kqyrë vulat se cilës klasë i takon. Ky hetim do të nxjerr në pah dhe nuk do të lejojmë asnjë lloj keqpërdorimi. Nuk e di pse po frikësoheni për një hetim të tillë”, i replikoi Tahiri.

Bislmi u përgjigj duke i thënë Tahirit se ‘treni bullgar’ është përdorur nga ana e PDK-së në Prizren”.

“Në një vend kur treni bullgar është i pamundur, pa pas bashkëpunëtor brenda dhe ju i keni pas 70% të komisionerve dhe unë mendoj që ka pas mundësi që ju e keni bo trenin bullgar në Prizren”, tha Bislimi.

Tahiri, iu kundërpërgjigj duke thënë se ‘treni bullgar’ është fenomen i krijuar nga vetë Lëvizja Vetëvendosje.

”Le të vërtetohet. Ne jemi deklaru që ju e keni përdor këtë fenomen dhe për këtë ju e keni përmbysur rezultatin në Prizren. Po ashtu ne e kemi vërtetuar mungesën e tri fletëvotimeve në një vendvotim”, tha Tahiri.

Bislimi, iu kundërpërgjigj duke thënë se vetë komisioneri i PDK-së, ka nënshkruar procesin e votimit si të rregullt dhe pa probleme.

“Komisioneri juaj e ka nënshkruar, procesverbalin si të rregullt në atë vendvotim. Që do të thotë edhe nëse ka pasur keqpërdorim aj ka mendu që keqpërdorimi ka shkuar në favor të juaj”, ishte përgjigja e Bislimit.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i DNV-së, Albert Krasniqi e shpjegoi se cfarë ishte ‘treni bullgar’ dhe ku u përdor së pari.

“Treni Bullgar është një teknikë e manipulimit të votave që së pari ka ndodhur në Bullgari dhe prej asaj e ka marr emrin ashtu. Saktësisht është, nxirret një fletëvotim origjinal prej vendvotimit, votuesi nuk e hudh në kuti por e hudh një fals. Pastaj e merr blerësi i votave që qëndron jashtë qendrës së votimit, e plotëson votimin e thatë dhe ai pastaj e fut votimin e plotësuar dhe jashtë e nxjerr një të thatë. Është një sinjal që nëse mungon një fletëvotim në një vendvotim mund të bazohet se ka ndodhur treni bullgar”, tha Krasniqi. Hetimi për këtë rast bëhet jashtë që me dit ku ka shku ajo votë dhe pasi të kryhet hetimi duhet të shkohet në rivotim e jo në rinumërim sepse nuk del asgjë ndryshe në rinumërim për derisa ndodh kështu siç thash”, tha Krasniqi.

Tahiri tha se në Mitrovicë është përdorur ‘treni bullgar, por edhe pse është denoncuar rasti nuk është hetuar.

“Ne e kemi denoncu në Mitrovicë edhe në raundin e parë dhe kemi pas prova dhe i kemi dërgu edhe në polici, janë marrë organet kompetente”, tha Tahiri.​