Tre Vjet në Kërkim të Punës si Mësues

Demë Doçi para tre vjetësh diplomoi në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, në drejtimin pedagogji e përgjithshme dhe gjatë kësaj kohe thotë se konkurroi dhjetëra herë pa sukses nëpër konkurset e shkollave të Klinës për t’u punësuar si mësues.

“Edhe pse e  kam drejtimin thuaja adekuat, i plotëson kriteret për një mësim klasor, arsyeja është thjeshtë që nuk kam njerëz adekuat këtu  që i shtyjnë përpara procedurën e lëndës time.  Vinë njerëz me interesa partiake besa korruptohen, ka shumë variante këtu, po unë këto kritere nuk ua plotësoj asnjë,” tha Doçi për KALLXO.com .

Edhe në konkursin e fundit ku kishte aplikuar si mësues klasor në shkollën fillore të fshatit Kërnicë, Demë Doçi thotë së  iu bë e padrejtë kur në këtë pozitë u pranua kundërkandidatja e tij.

“Para dy jave në fshatin Kërnicë u kanë vendi i punës, ka qenë zëvendësim gjashtë muaj po kurrgjë konkrete nuk ka. Ka startuar me punë një studente hala pa diplomuar”, tha ai.

Drejtori i Arsimit në Klinë Hajdin Morina e pranon  se në fshatin Kërnicë mësimdhënësja e pranuar nuk ka diplomë.

“Në konkursin e fundit kemi kërkuar një mësues për ciklin fillor, normalisht kërkohet diploma e programit fillor. Ne e kemi marrë kandidaten e programit fillor pa diplomë,  ndërsa sipas udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit drejtimi pedagogjik nuk lejohet të punohet nga klasa 1 deri në 5”, tha drejtori i Arsimit në Klinë.

Me Udhëzimin Administrativ për Normativin mbi Kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm në nenin katër për mësimdhënie në arsimin fillor kërkohet fakulteti i edukimit-programi fillor, ose fakulteti i mësuesisë.

Drejtori Morina tha se kandidati që është i pakënaqur me vendimin e  Drejtorisë së Arsimit në Klinë ka të drejtë ankese tek organet tjera kompetente.

“Gjithsesi që Demë Doçi ka të drejtë ankese tek organet përkatëse dhe varësisht dhe konform vendimit të tyre ne do veprojmë”, tha Morina.

Në anën tjetër Demë Doçi tha për KALLXO.com se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë për padrejtësitë e vazhdueshme që po i bëhen në konkurse ku po aplikon për vend pune.

KALLXO.com në muajin shkurt të këtij viti raportoi për ankesat e një mësimdhënësi nga Komuna e Klinës që nuk po i plotësohej norma e plotë e orëve të mësimit.

Për këtë çështje ai kishte paditur në gjykatë Drejtorinë e Arsimit në  Klinës.

http://kallxo.com/mesimdhenesi-padit-drejtorine-e-arsimit-per-mosplotesim-te-normes/