Policia shqiptare - Foto: Facebook

Tre të arrestuar në Vlorë për kultivim të lëndëve narkotike

Policia e shtetit ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për kultivim të bimëve narkotike.

Policia e shtetit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë konfiskuar 132 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, 2 mijë e 800 fara bime kanabis sativa, 167 fidanë kanabis sativa dhe 169 bimë narkotike të kanabis sativas.

Në dy raste të ndara policia ka arritur që të arrestojë tre persona në flagrancë ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër person të dyshuar.

Në rastin e parë policia ka arrestuar dy persona.

“Në zbatim të plan-masave për kontrollin e territorit me qëllim evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike si dhe të prodhim shitjes së lëndëve narkotike, strukturat policore të Komisariatit të Policisë Vlorë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit A.J., banues në Oshtimë, L.J., banuese në Oshtimë, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Xh.J., banues në Oshtimë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Në banesën e shtetasve të lartpërmendur policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 2800 fara bime narkotike Cannabis Sativa, 167 fidanë-bime narkotike Cannabis Sativa, 169 bimë narkotike Cannabis Sativa, si dhe 132 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, në gjendje të thatë e të grirë.

Në rastin e dytë është arrestuar personi me inicialet A.A. , pasi në fshatin Lapardha, në një sipërfaqe toke në pyll kishte kultivuar 55 bimë narkotike kanabis sativa.

“Policia e Vlorës do të vijojë intensivisht punën dhe kontrollet e vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut Vlorë me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti kultivimi apo prodhim, shitje të narkotikëve”, thuhet më tutje në njoftimin e policisë.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale ”Prodhim, shitja e narkotikëve” dhe ”Kultivimi bimëve narkotike”.