Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Tre Policë të Autostradës Dënohen për Marrje Ryshfeti

Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren shpalli sot aktgjykimin ndaj katër zyrtarëve policorë që akuzoheshin për marrje ryshfeti.

Tre nga këta zyrtarë- Driton Bajrami, Neshat Avdaj dhe Myzafer Sylejmani u shpallën fajtorë dhe u dënuan, ndërsa zyrtari policor Binak Bytyqi u shpall i pafajshëm.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj, njoftoi për dënimet për secilin prej të akuzuarve.

Neshat Avdaj nga Prizreni, sipas zëdhënëses Kicaj, u dënua me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë për marrje të ryshfetit në bashkëkryerje. Avdajt në dënimin me burg do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Driton Bajramit e Muzafer Selmanit, gjithashtu të dy nga Prizreni dhe për veprën e njëjtë- marrje ryshfeti në bashkkryerje, gjykata u shqiptoi dënimin me nga 8 muaj burgim dhe gjobën nga 1500 euro për secilin prej tyre.

Prokuroria Themelore e Prizrenit, i ngarkonte të akuzuarit se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejt kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Të akuzuarit, ngarkoheshin se këto para i kanë marrë nga shkelësit e rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Prokuroria për këto akuza, së bashku me aktakuzën, ka dorëzuar edhe provat materiale të nxjerra nga masat e fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit, në mesin e tyre edhe disa CD, ku shiheshin të akuzuarit duke marrë ryshfet.

Në Prizren, krahas këtij gjykimi që përfundoi me dënime për tre zyrtarët policorë, për marrje ryshfeti në një proces tjetër po gjykohen edhe 20 policë tjerë të autostradës.

Këta policë që po gjykohen janë pjesë e grupit prej 59 zyrtarëve policorë që u arrestuan në dhjetor të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/59-zyrtare-policore-te-arrestuar/

20 policët nga Prizreni u deklaruan të pafajshëm në qershor.

http://kallxo.com/deklarohen-te-pafajshem-20-policet-e-akuzuar-per-ryshfet/

Gazeta Jeta në Kosovë kishte siguruar aktakuzën ndaj 59 policëve e arrestuar për marrje ryshfeti dhe në disa vazhdime tregoi mënyrën se si sipas prokurorisë ata kryen këtë vepër penale.