Tre persona vdesin pas shpërthimit në një xhami në Kabul

Tre persona, duke përfshirë një klerik të lartë fetar, janë vrarë dhe të paktën 20 të tjerë janë plagosur gjatë një shpërthimi në një xhami, gjatë lutjeve të së premtes në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme në këtë shtet, Nasrat Rahimi, i ka thënë Shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë, se në mesin e të vdekurve është edhe kleriku fetar, Mawlawi Raihan, një mbështetës i Qeverisë së përkrahur nga perëndimi.

Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, ndonëse talibanët dhe militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik, kanë kryer së fundmi sulme në këtë shtet.

“Informacioni ynë fillestar na tregon se grupi terrorist i talibanëve qëndron mbrapa sulmit”, ka thënë Rahimi.

Lagjia e Kabulit, ku ka ndodhur sulmi, është e banuar nga pashtunët, shumica e të cilëve janë myslimanë sunitë.

Ky sulm ka ndodhur teksa myslimanët janë duke agjëruar Muajin e shenjtë të Ramazanit.

“Asnjë mysliman nuk duhet të vrasë tjetër mysliman, sidomos gjatë Ramazanit. Ky është mëkat i madh”, ka thënë banori i Kabulit, Ghulam Haidar.