Foto: KALLXO.com

Tre dëshmitarë dëgjohen në rigjykimin për vrasjen në Ferizaj

Tre dëshmitarë janë dëgjuar në seancën e sotme të rigjykimit të Meriton Aliut, i cili akuzohet për vrasjen e S.R. me armë zjarri më 18 gusht 2016.

Në Gjykatën e Gjilanit, dëshmitari Valtrim Rexhepi deklaroi se të akuzuarin Meriton Aliu e njeh dhe se kishte pasur raporte të mira me të, kurse viktimën S.R., nuk e kishte njohur dhe nuk i dinte raportet mes të akuzuarit dhe viktimës.

Dëshmitari tha se në ditën kur ka ndodhur ngjarja, së bashku me një shok të tij ishin takuar me të akuzuarin në afërsi të vendit të ngjarjes. Ai deklaroi se kishin qenë duke biseduar me njëri-tjetrin në rrugë, kur viktima S.R., kishte ardhur së bashku me djalin e axhës së tij për t’i përshëndetur.

Pastaj, dëshmitari shtoi se i akuzuari së bashku me viktimën ishin larguar rreth 15 metra nga ku ishin duke qëndruar të gjithë në një pjesë të rrugës dhe ishin futur në hyrje të një ndërtese.

Ai theksoi se nuk i kujtohet se kush ishte iniciator për t’u larguar, viktima apo i akuzuari, dhe se nuk e dinte arsyen e largimit të tyre nga ku ishin duke qëndruar së bashku.

Dëshmitari tha se nuk kishte parë diçka më shumë dhe se vetëm kishte dëgjuar krismën dhe është larguar.

Dëshmitari tjetër, Fatjon Shala, deklaroi se disa ditë para ngjarjes viktima e kishte kërkuar të akuzuarin.

Në pyetjet drejtuar tij dëshmitari deklaroi se për këtë çështje e kishte informuar të akuzuarin përmes telefonit. Po ashtu deklaroi se më shumë se kaq nuk dinte për ngjarjen.

Ndërsa dëshmitari tjetër, Driton Monqilla, deklaroi se viktima nuk kishte pasur probleme me dikë, e po ashtu nuk kishte pasur raporte të këqija me të akuzuarin.

Ai foli edhe për një takim që kishte pasur më parë me të akuzuarin, viktimën edhe dëshmitarin tjetër Fatjon Shala. Në këtë takim, dëshmitari deklaroi se i akuzuari i kishte kërkuar viktimës që ta ndihmojë për një problem që e kishte i akuzuari me një person tjetër të quajtur Vllaznim Uka.

Dëshmitari tha se nuk i di arsyet e vrasjes, por shtoi se e di që i akuzuari është marrë me shitblerje të narkotikëve.

Kjo seancë është ndërprerë për të vazhduar nesër.

Në këtë rast gjyqtarë janë Agim Ademi, Naser Maliqi dhe Islam Thaqi.

Për këtë rast, Gjykata Supreme kishte anuluar aktgjykimet e Gjykatës së Ferizajt dhe Gjykatës së Apelit, duke e kthyer për rivendosje lëndën në gjykatë të shkalles së parë.

Ky vendim i Gjykatës Supreme bazohet në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësit të të akuzuarit Meriton Aliu, avokatit Avni Ibrahimi.