‘Trashja e monopolit’ në homologim, Pal Lekaj para Komisionit

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj raporton sot para Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave.

Javen e kaluar shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, iu pati drejtuar Komisionit për Ekonomi të Kuvendit për të ngritur shqetësimin për monopolin në homologimin e automjeteve dhe imponimin e barrierave jo-tarifore për automjetet e reja, duke i shkaktuar shpenzime të panevojshme popullit të Kosovës.

BE-ja është e shqetësuar se Udhëzimi Administrativ i Qeverisë 02/2018 për homologimin e automjeteve do të çojë në zgjatjen e monopolit, pasi rregullimi aktual nënkupton zgjatjen automatike të operatorit ekonomik i cili ka pasur marrëveshje ekskluzive që nga viti 2008.

Kjo praktikë shkon kundër frymës së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (SAA) dhe krijon pengesa për tregti.

“Konkurrenca ndërmjet ofruesve të shërbimeve të homologimit do të ulë çmimin dhe do të mundësojë shërbime më të mira për popullin e Kosovës”,  ka thënë ambasadorja Apostolova anëtarëve të Komisionit të Kuvendit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Aktualisht, qytetarët sipas saj paguajnë për një shërbim i cili është i disponueshëm vetëm në Prishtinë me një çmim shumë më të lartë se të tjerët në rajon.

Ambasadorja Apostolova gjithashtu shprehu shqetësime lidhur me homologimin e detyrueshëm dhe verifikimin e certifikatave të konformitetit të automjeteve të reja me origjinë nga BE-ja.

Pavarësisht se janë të pajisur me Certifikata të Konformitetit nga prodhuesit e BE-së, të gjitha automjetet e reja janë të detyruara të kalojnë nëpër procesin e homologimit dhe kontrollin e parë teknik në Kosovë.

“Kjo është kundër rregullave të konkurrencës së BE-së. Sipas legjislacionit të BE-së, automjetet e reja me homologim të vlefshëm në BE duhet të pranohen për shitje dhe regjistrim pa asnjë kontroll apo kosto shtesë. Kjo është pengesë serioze tregtare.”

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës ka dhënë një rekomandim ku thuhet se sistemi i homologimit është në kundërshtim me konkurrencën e drejtë dhe BE-ja inkurajon fuqishëm Ministrinë e Infrastrukturës t’i kushtojë vëmendje të plotë opinionit profesional mbi homologimin e veturave të lëshuar nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.

.