Tramvaji i Drenasit mund të financohet nga Hungaria

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot ka pritur në takim presidentin e Komitetit të Ballkanit Perëndimor nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Hungarisë, Attila Galambos, më të cilin diskutuan për ujëmbledhësin e fshatit Vërboc, për Stadiumin Nacional dhe tramvajin që pritet të fitoj financimin nga Hungaria.

Komuna e Drenasit pret që së shpejti të fillojë implementimi i projektit “Ndërtimi i Pendës Ujëmbledhës për ujë të pijes në fshatin Vërboc”, nga i cili me ujë të pijes do të furnizohen 40 mijë banorë.

“Galambos ka njoftuar kryetarin Lladrovci për veprimet të cilat duhet të ndërmerren bashkërisht në mënyrë që ky projekt të filloj sa më parë. Kurse kryetari Lladrovci është zotuar se të gjitha çështjet teknike dhe administrative do të kryhen me prioritet të lartë nga ana e Komunës së Drenasit për realizimin e këtij projekti i cili është shumë i rëndësishëm për banorët e Drenasit”, thuhet në komunikatë.

Lladrovci dhe Galambos kanë diskutuar po ashtu edhe për Stadiumin Nacional, i cili do të ndërtohet në territorin e komunës së Drenasit me mundësi financimi me kredi të butë nga shteti hungarez.

Tutje thuhet se të njëjtit gjithashtu kanë pasur një diskutim të frytshëm edhe për ndërtimin e tramvajit, zotim i mëhershëm nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe i kryetarit Lladrovci.

KALLXO.com ka raportuar në janar planet e kryetarit Lladrovci për ndërtimin e tramvajit, itinerari i të cilit do të jetë Drenas – Komoran – Kroi i Mbretit – Stadiumi Nacional.

https://kallxo.com/lladrovci-do-te-ndertojme-rrugen-e-tramvajit-drenas-komoran/

www.kallxo.com