Seanca gjyqesore ndaj Gani Bernjashi, i akuzuar per vrasjen e djalit.... - FOTO KALLXO - 20.11.2018

Tragjedia në Kamenicë, babai rrëfen si e mbyti djalin 14 vjeçar me dajak

Gani Bërnjashi, i akuzuar për vrasjen e djalit të tij 14 vjeçar, ka rrëfyer para gjykatës në Gjilan ngjarjen se si e kishte rrahur djalin deri në vdekje.

Ai para trupit gjykues rrëfej për atë që kishte ndodhur natën e 23 majit 2018. Ai tregoi se i kishte thënë djalit “ku i ke lënë ato 1500 euro?”.

“Pasi që në sandek janë kanë 5000 euro, kurse kur kam shiku unë aty kanë mungu 1500, dhe kishin mbetë 3500 euro. I kam thënë djalit pse i ke marr paret? Dhe më ka thënë ‘s’i kam marrë’. Dhe tani kam fillu me rreh me zorrë të ujit-plastikës e gjatë 1 m. Ia kam mshu këmbëve, dhe e kam godit ka mujsha, por nuk më kujtohet sa herë i kam mshu dhe ku e kam goditë. Djali kaniher  e pranojke që i ka marrë (paratë), por s’kallxojke ku i ka lënë ato pare”, deklaroi në fillim i akuzuari Gani.

Më pastaj  i akuzuari vazhdoi duke treguar se si e kishte rrahur djalin e tij deri në vdekje.

“Një kohë e kam rreh me zorrë të ujit e masandej  e kam marrë një hotllogi ma pak se 1 metër, dhe e kam rreh apet me atë hotllogi dhe i kam mshu po ku i kam ra nuk e di, se jam hupë edhe vet”, tregoi i akuzuari Bërnjashi.

Në pyetjen e avokatit të tij, Begzad Hajrullahu: Pasi e ke rreh a të ka shku mendja që t`u e rreh djalin mundet me pas pasoja drejt vdekjes te ai?

“Unë e kam rreh djalin për me tutë dhe nuk më ka shku mendja që do të vije te qekjoja-vdekja e tij, me pas ditë që vjen qetu puna unë nuk e kisha rreh se qysh e mytë djalin e vet prindi”, tha ai.

Ai akuzuari më tej rrëfeu se derisa ai e rrihte djalin e tij, gruaja dhe vajza i kishin ardhë njëherë në dhomë. “Mirëpo, ky iu kishte thënë që të ‘ikin e mos t`ju shoh këtu’, dhe duke iu treguar atyre se që katër herë ka ndodhë djali me marr pare, do ta rrehi pak me tutë që mos mi ba ma kto gjana”

Arsyeja se pse e rrihte djalin Ganiu u përgjigj se ishte frika se me ato pare ndoshta djali merret me drogë.

“arsyeja pse e kam rreh djalin është frika se mos po merrte apo bante drogë, sepse ai shoqnohej me katër vetë, nxansa të shkollës, të cilit vinin me motorra   dhe e merrshin djalin e shkojshin”, tha ai.

Ganiu tregoi po ashtu se si nuk ka qenë i vetëdijshëm që nga rrahja e tij, kishte ardhur deri te vdekja e djalit të tij 14 vjeçar.

“Unë se kam ditë hiq, deri sa kam shku në Kamenicë ku e kem qu te mjeku, unë nuk e kam ditë se a ka dekë a o gjallë djali. Mjeku na ka kallxu që djali më vdiq dhe kam piskat dhe pastaj mjeku ma ka matë shtypjen e gjakut dhe ma dha një injeksion”, tregoi bababi i akuzuar për vrasjen e djalit.

Ai tregoi se djalin te mjeku në Kamenicë pasi e kishte rrahur e kishte dërguar bashkë me vajzën e tij dhe vëllain Muharrem Bërnjashi.

“Djalin unë e kam qu te mjeku me këqyrë a osht mirë a jo. Pasi e kemi thirrë Muharremin me ardhë me qu djalin në spital. Unë nuk shoh natën mi grah kerrit dhe e kemi thirr vëllain, e i kallxum që djali o i smutë. Arsyen pse osht i smutë s’ia kemi thënë Muharremit dhe mjeku më pastaj më ka tregu që djali im ndërroi jetë. Aty kam piskatë dhe ma dhanë një injeksion. Injeksionin e morra nga mjeku sepse në qato momente jam ndje keq për djalin që m ‘kishte  vdekur dhe e kisha shtypjen e naltë”, tregoi ai.

Ganiu më tutje rrëfeu për problemet e tij shëndetësore që i ka pasur para këtij rasti duke thënë se ka shku çdo dy javë te mjeku, duke deklaru se ka pas problem me shtypje të gjakut të naltë: “…dhe pi kresë s’jam mirë, për këtë kam edhe dokumentacion që i kam dhënë mbrojtësit tim. Unë edhe më herët jam kanë në spital për shkak nervave te doktor Qemajli, tha i akuzuari Gani.

Në pyetjet e prokurorit Shaban Spahiu për arsyet që e quan ta rrahë djalin, i akuzuari Bërnjashi, tregoi se ishin paratë që i mungonin pasi ishte kthyer nga banja.

“Jam kan në banjë të Kllokotit, dhe kur jam ardhë në shpi, gruaja më ka thënë se djali ka dalë me motorr në ora tre e mo su kthy. Dhe kur ka ardhë në shpi ka ardhë ka ora 6 e gjysë (18/30 min). Para se me rreh kam bisedu, dhe i kam thënë ku i ke lënë paret? Dhe shko birmi paret a janë krejtë a jo që t’i njehim. Dhe aty bashkë i kemi numëru dhe kanë mungu 1500 euro. Dhe i kam thënë mo babës mos prek ma se qe 3 a 4 herë pom prek në pare, e po naj ban ndonjë qeder”, tha i akuzuari.

Më tutje në pyetjen e prokurorit se a e ke rreh djalin para se me ardhë vajza N. B. dhe sa herë e ke rreh gjatë kësaj kohe?

I akuzuari u përgjigj duke deklaruar se: “Po e kam rreh kapak se sa e kam rreh se di por veç kam dashtë me tutë e jo me mytë”.

I akuzuari më pas tregoi se kur ka ardhë vajza, ka biseduar me të duke i  thënë se: “Qe babë çka na bani djali dhe na qiti në telashe”.

Pastaj të tregoi se si vajzës N. i ka ra tri herë me zorrë të ujit.

Në pyetjen e prokurorit se pse e ke rreh djalin njëherë me gyp të plastikës e pastaj me hotllogi?

I akuzuari u përgjigj duke thënë se “Po e kam marrë hotllogin pasi mendova që nashta më tregon ku i ka lënë paret”.

Prokurori më tej e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në Prokurori, ku i akuzuari kishte thënë se: “Jo nuk ka ndodhë nga anëtarët e familjes mem marrë pare”.

I akuzuari më tej u përgjigj duke thënë se “Është e vërtetë që pare më ka marrë edhe djali tri katër herë”.

Po ashtu i akuzuari Gani Bërnjashi u ballafaqua me deklaratën e dhënë në Prokurori ku kishte thënë se: “Para se ta nisë djalin në Kamenicë, e kam parë se ka qenë i përgjakur në kokë, nuk ka folur, por vajza më ka thënë se e paska qafën e nxehtë”.

Ai u përgjigj duke thënë se “e vërteta është ajo çka e thash tash”. Këtë përgjigje e dha pasi që kishte pyetjen se “a e ka pa djalin që ka pasur gjak, pasi e ke rrahur, në të cilën ishte përgjigj “se nuk e di”.

Më tutje Ganiu deklaroi se si e ka parë djalin pas rrahjes.

“E kam pa kur djali së bashku me vajzën ka dalë jashtë në këmbë të veta, ka vjellë dhe është kthye prapë në dhomë. E kam parë nga prezorja e dhomës sime. Nuk e kam qu meniher në spital se kam mendu që ai osht mirë dhe s’e kam mendu që osht keq”, deklaroi i akuzuari.

Ai ka rrëfyer se gjatë kohës sa e kishte rrahur djalin, ai kishte bërtitur.

“Po ka reagu dhe ka bërtittë, por asnjëherë nuk ka tentu me ikë, apo me mu kthye mue”, shtoi në përgjigjen e tij i akuzuari.

Në pyetjen e prokurorit se cila është arsyeja që ti e lidhe djalin me shami në qaf e në këmbë?

I akuzuari u përgjigj duke mohuar këtë dhe tha se:  “Nuk o e vërtetë që djalin e kam lidhë, me tojë apo me shami të kuqe dhe nuk o e vërtetë atë që e ka thënë gruaja ime”.

Bërnjashi më pas i mohoi pretendimet e prokurorit, kur u pyet se në oborr janë gjetur shamia dhe një tojë e përgjakur.

“Ndoshta vajzat kanë luajt me to, sepse unë as me tojë e as me shami nuk e kam lidhë djalin”.

Në fund në pyetjen e prokurorit se a është e vërtetë se vëllait Muharremit dhe policisë i ke thënë se djali ka bërë aksident me motorr?

“Po i kam thënë ashtu dhe e kam thënë pi frikës së vetvetes, po ashtu kam thënë edhe në Polici se djali u rrëzu pi motorit dhe gjeni vendin se ku është rrëzu”, tha i akuzuari Gani.

I akuzuari është pyetur nga avokati i palës së dëmtuar, në këtë rast gruas dhe fëmijëve të tij, se kur e ke rrahur djalin a ka qenë në këmbë ai, apo i shtrirë?

I akuzuari u përgjigj duke thënë se djali ka qenë i shtrirë në shtrat: “Sepse unë kur i kam thënë qashtu me nejtë ai u dashtë me nejt ashtu”.

Bërnjashi  më tej tregoi se si kur ishte duke rrahur djalin e tij nuk ka guxu askush me hy në dhomën e tij.

“Në dhomë ku kam qenë unë me djalin nuk ka ardhur askush, sepse niher kur ju kam thënë diçka ma kurrkush s`guxon me ndërhy”, tha i akuzuari.

Më tej në pyetjen e gjyqtari Naser Maliqi, se a e din sa ka zgjatë rrahja e djalit?

“Vallahi me të rrejtë nuk di, vallahi nuk e di po në mbrëmja kur jam ardhë nga banja e Kllokotit nga ora 6 e 30 minuta, orën se kam kshyrë… se di saktë. Kur kam ardhë në shpi time, shoqja ma ka maru kafen, e kam pi masandej e kam thirrë djalin dhe e kam vetë për paret dhe pasi e kam vetë kam fillu me rreh”, u përgjigj i akuzuari.

“Kapak i kam mshu se nuk e kam pas qëllim me mytë”, tha më tej i akuzuari.

Në pyetjen e gjyqtarit Naser Maliqi çka ke punu ti, dhe ku i more ti këto para Gani, 8 mijë dhe 5 mijë?

I akuzuari u përgjigj duke deklaru se: “Kam dalë me lyp për fmi kam punu për mi shkollu ata, e unë nuk jam dalë as me vjedhë e as me shitë drogë. Ma mirë o me dalë me lypë e mos me marr drogë, dhe kam dalë me lypë niher në muaj, sa me pasë fmija me hanger, në dite kam fitu 10 euro dhe 15 euro, po jo me ba kapital”, tha i akuzuari.

Gjyqtari tjetër Veli Kryeziu, e pyeti se qysh i ke pasë të paluara paratë, nga 100 a 200, a krejt të hekurit?

“Ka pasë ka 100 ka 500 me një vend, e di që 5000 mijë kanë qenë dhe e di që tri copa janë kanë ka 500 euro me një vend, këto kejtë i kam shkru në letër kur jau kam dhënë naj pare familjes”, tha i akuzuari.

Kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri e pyeti të akuzuarin se a ke kanë i dënuar më parë për  vepër penale?

I akuzuari u përgjigj duke pohuar se: “Po kam qenë i dënuar në gjykatën e Prishtinës në vitin 1986 ku jam arrestuar nga policia dhe dënuar për vepër penale të dhunimit me burg prej 12 viteve ku i kam vuajtur 9 vite e 7 muaj burgim”.

Gjyqtari Shaqiri e pyeti se a je qenë i vetëdijshëm që nga rrahja që ja ka bërë djalit tënd, ku sipas ekspertizës mjekësore del se 30 %  e trupit të tij u përfshi në rrahje, a e ke ditë që mundeni me e mbytë djalin me këto veprime?

I akuzuari deklaroi se: “Unë nuk kam ditë që muj me mytë si pasojë e rrahjes së djalin tim”.

Në fund i akuzuari u pyet për posedimin e tri kartelave bankare, një e TEB Bank, Pro Credit Bank dhe BPB-s’, si dhe a ke pasur të deponuara para në këto kartela?

“Po”, tha i akuzuari shkurt.

Pas këesaj, seanca u ndërpre në momentin kur mbrojtësi i të akuzuarit Gani, Bërnjashi, avokati Begzad Hajrullahu kërkoi fjalën dhe theksoi se mbetet pranë propozimit që të dërgohet i mbrojturi i tij në ekzaminim psikiatrik, në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, pasi që në kohën e kryerjes së veprës penale nuk ka pasur aftësi psiqike për të rezonuar që si rezultat i goditjeve të tij mund të vijë deri te vdekje e djalit të tij.

Lidhur me këtë propozim pati kundërshtime nga Prokurori i shtetit dhe avokati i palës së dëmtuar.

Mirëpo, trupi gjykues me aktvendim konstatoi se pas vlerësimit të propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit dhe kundërshtimeve të paraqitura nga prokurori i shtetit dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, aprovoi propozimin e avokatit mbrojtës që i akuzuari Gani Bërnjashi të dërgohet në observim psikiatrik për të vlerësuar aftësinë, apo paaftësinë e tij psikike në kohën kur është kryer vepra penale.

Seanca e sotme shtyhet për datë të pacaktuar ashtu që pas marrjes së mendimit dhe konstatimit të të IPF në Prishtinë, palët do të njoftohen për seancën e radhës.

 

https://kallxo.com/nena-rrefen-se-si-babai-e-mbyti-me-dajak-djalin-14-vjecar-ne-karaceve/

.