Tragjedia e javës në Video e Fotografi

Një person i vdekur dhe 27 të tjerë  të lënduar është bilanci i aksidentit i cili ndodhi sot në qendër të Gjilanit.

Foto nga vendi i ngjarjes, Foto, KALLXO.com

 

Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur si pasojë e problemeve teknike të kamionit, i cili goditi dy këmbësorë, 10 vetura dhe një traktor.

Për aksidentin i cili ndodhi sot, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, së bashku me togerin e Policisë së Gjilanit, Ismet Hashani dhe prokuroren e rastit Rozelinda Manastiri mbajtën dy konferenca për media ku dhanë detaje rreth aksidentit.

Kryetari në konferencë ka treguar se i vdekuri në aksident është afaristi nga Gjilani, Qerim Çoçaj.

“Fjala është për ndërmarrësin e respektuar dhe të ndershëm Qerim Qoqaj”, ka thënë Haziri.

Sipas kryetarit dy të lënduar në gjendje më të rëndë janë dërguar në QKUK, ndërsa 12 të lënduar të tjerë po trajtohen në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Kryetari i Gjilanit ka falënderuar Policinë, Prokurorinë e Gjilanit, qytetarët që ndihmuan në nxjerrjen e të ngujuarve në automjetet e aksidentuara dhe ofrimin e ndihmës për të lënduarit.

Ai falënderoi edhe kryeministrin Haradinaj për ofrimin e mbështetjes pas kësaj “pasdite horrori”.

Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Gjilanit, Ismet Hashani, tha se rreth orës 14 :00 kanë marrë një informacion për një aksident të rëndë.

Menjëherë në vendin e ngjarjes, sipas tij, kanë dalë përveç Policisë edhe zjarrfikësit, Emergjenca dhe prokuroria.

Sipas Hashanit, hetimet e para tregojnë se aksidenti ka ndodhur për shkaqe teknike të kamionit, me ç’rast dyshohet se shoferi ka humbur kontrollin mbi automjetin.

Policia thotë se kamioni ka goditur dy këmbësorë, 10 vetura dhe një traktor.

“Në këtë aksident një person ka vdekur, 14 po trajtohen në Emergjencën e Gjilanit dhe 2 në Prishtinë“, tha Ismet Hashani.

Sipas zëdhënësit të Policisë, pas aksidentit janë arrestuar dy persona, shoferi i kamionit dhe bashkudhëtari i tij.

“Nga informatat e para, mund të konfirmojmë se fatkeqësisht një person ka vdekur, ndërsa 10 janë lënduar. Sipas informatave të para, kamionit me targa 01 nuk i kanë funksionuar frenat dhe pos dëmeve në njerëz, ka edhe dëme të mëdha materiale, ku janë përfshirë dhjetëra vetura dhe dëmtim i pronës publike. Lutem që familjet e personave të prekur ta përballojnë këtë dhembje që është tragjike për të gjithë ne”, ka thënë Hashani.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Ismet Hashani, nuk dihet arsyeja pse kamioni është futur në rrugën ku ekzistojnë shenjat që automjeteve të tilla të rënda u ndalohet hyrja.

“E vërteta është se ekzistojnë shenjat për ndalim të kamionëve me transporte të mëdha. Ne nuk e dimë arsyen pse është futur në këtë rrugë. Besoj që pas ekzaminimeve do të dalim me arsyen pse është futur në qendrën e Gjilanit”, ka thënë zëdhënësi i Policisë.

Ndërsa, prokurorja Rozelinda Manastiri, në konferencë ka treguar se menjëherë pas aksidentit kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Ajo po ashtu tregoi se i kanë vizituar të lënduarit në Gjilan.

“Kemi 14 të lënduar dy prej të cilëve janë dërguar në QKUK. I dyshuari është intervistuar dhe është ndaluar”, tha prokurorja e shtetit, Rozelinda Manastiri.

Pas konferencave të organizuara nga Komuna, Policia dhe Prokuroria, KALLXO.com ka qëndruar në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku kanë kërkuar ndihmë mjekësore të lënduarit nga aksidenti.

Drejtori i këtij spitali, Nisret Hajrullahu, ka treguar për KALLXO.com se numri i të lënduarve nga aksidenti ka arritur në 27 persona.

“Numri i të lënduarve ka arritur në 27. Prej tyre 8 janë hospitaluizuar në reparte të ndryshme të spitalit tonë. 3 janë transferuar në QKUK për shkak të natyrës së lëndimeve të rënda. Lëndimet kryesisht janë në kokë dhe në kafazin e kraharorit dhe fraktura të gjymtyrëve”, tha Hajrullahu.

Sa i përket të vdekurit, drejtori Hajrullahu tha se ai në Spital ka ardhur pa shenja jete.

KALLXO.com ka raportuar nga vendi i ngjarjes për aksidentin i cili ndodhi në qendër të Gjilanit.