Avokati Tomë Gashi | Foto: KALLXO.com

Tomë Gashi Kërkon Lirimin e Aktivistëve të VV-së

Tomë Gashi, avokati i Frashër Krasniqit, njërit nga katër aktivistët e Lëvizjes “Vetëvendosje” të akuzuar lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës vitin e kaluar, po kërkon lirimin e tyre nga masa e arrestit shtëpiak.

Si arsye kryesore ku avokati Gashi e bazon kërkesën e tij të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përmendet rrëzimi i Qeverisë së Kosovës.

“Duke parë faktin që Qeveria e Kosovës nuk e ka kaluar votëbesimin e datës 10 maj 2017 dhe shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës si rrjedhojë, kanë pushuar shkaqet për të cilat ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak ndaj Frashër Krasniqit, Adea Batushës, Atdhe Arifit dhe Egzon Halitit “, thuhet në kërkesën e Tomë Gashit drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Gashi, arsye tjetër për lirimin e aktivistëve gjen te fakti se katër aktivistët ngarkohen se veprimet e tyre i ndërmorën për të penguar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, për të cilën Gashi në kërkesë thotë se ende është në procedurë.

“Duke pas parasysh se një prej arsyeve kryesore për të cilat është vazhduar masa e arrestit shtëpiak, në cilësinë kryetarit të trupit gjykues keni konstatuar se ‘të njëjtit kanë vepruar si grup në role dhe detyra të ndara e që dyshohet se këtë veprim e kanë ndërmarrë me qëllim të pengimit të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, çështje kjo e cila është ende në procedurë”, vijon kërkesa e avokatit.

Sipas aktvendimit të nxjerrë nga gjyqtari i këtij rasti, Beqir Kalludra, të akuzuarit duhet të qëndrojnë në arrest shtëpiak deri më 28 qershor të këtij viti.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me ecurinë e procesit gjyqësor kundër katër aktivistëve të “Vetëvendosjes”, ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Aktivistët e “Vetëvendosjes” u arrestuan më 30 gusht 2016.

Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.

Pjesë e aktakuzës për sulmin në Kuvend ishin edhe Petrit Ademi dhe Astrit Dehari.

Për mungesë provash hetimet pushuan ndaj Ademit, ndërsa Dehari, ndaj të cilit po ashtu pushuan hetimet, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.