Tkurret aktakuza ndaj policëve për shitblerje të naftës në Mitrovicë

Nga 24 persona të dyshuar sa përfshinte një aktakuzë për kontrabandë me derivate të naftës, tash kanë mbetur vetëm 12 pasi Gjykata Themelore e Mitrovicës ka vendosur t’i hedhë poshtë pretendimet e prokurorisë ndaj disa personave të akuzuar, në mesin e të cilëve ishin edhe 12 policë.

Ndër 12 të akuzuarit, tani në aktakuzë kanë mbetur 4 zyrtarë policorë.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë e ngritur në prill të vitit 2015, ndaj katër zyrtarëve policorë të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar ” është konfirmuar nga Gjykata në Mitrovicë.

Por ndaj tetë zyrtarëve të tjerë kjo akuzë është hedhur poshtë, pasi gjykata i ka vlerësuar si të bazuara kundërshtimet e mbrojtësve të të dyshuarve.

Sipas këtij aktvendimi, gjykata i ka aprovuar si të bazuara kundërshtimet e të akuzuarve Mustafë Osmanaj, Haxhi Vojvoda, Sllavisha Zhivkoviq, Agron Hyseni, Shukri Basholli, Nexhat Imeri, Avdi Beqiri dhe Nazif Salihi duke hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Me këtë vendim edhe ka pushuar procedura penale nën akuzën për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në aktvendim thuhet se pasi gjykata i ka shqyrtuar gjitha shkresat e lëndës dhe provat që i përmban kjo aktakuzë, ka vlerësuar se kundërshtimet e paraqitura me kërkesë për hedhjen e aktakuzës janë “plotësisht të bazuara”. Gjykata thotë se ka vendosur ta pushojë procedurën penale ndaj tetë të dyshuarve për shkak të mungesës së provave.

Lidhur me këtë, në aktvendim thuhet se Gjykata me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetojë pretendimet e Prokurorisë në raport me këta të pandehur, për të cilët sipas vendimit në fjalë, thuhet se Prokuroria akuzën ndaj zyrtarëve policorë për të cilët ka pushuar procedura penale, e ka mbështetur kryesisht në transkriptet e bisedave telefonike të përgjuara me masa të fshehta.

Gjykata tha se në asnjë prej këtyre transkriptove nuk ka mundur të vërtetohet se ka pasur bisedë telefonike ndërmjet zyrtarëve policorë, Mustafë Osmanaj, Haxhi Vojvoda, Sllavisha Zhivkoviq, Agron Hyseni, Shukri Basholli, Nexhat Imeri, Avdi Beqiri dhe Nazif Salihi dhe të akuzuarit Besim Zeqiri.

Ndërsa sipas aktvendimin të siguruar nga KALLXO, Gjykata Themelore e Mitrovicës, i ka refuzuar si të pabazuara kundërshtimet e katër zyrtarëve policorë, Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj dhe Bedri Haliti, për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në akuzë thuhet se zyrtarët policorë Dallku, Kajtazi, Dajakaj, Haliti, Osmanaj, Vojvoda, Zhivkoviq, Hyseni, Basholli, Imeri, Beqiri dhe Salihi, akuzoheshin se gjatë muajit marsi dhe prill të vitit 2013 përderisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Aktakuza thotë se derisa i pandehuri Besim Zeqiri me ndihmësit e tij, kishin derivate të naftës pa autorizim, të njëjtit nga zyrtarët policorë të akuzuar ishin njoftuar mbi gjendjen në rrugë me qëllim që kur rrugët kanë qenë të lira të bëhet transportimi, duke mos i penguar për kryerjen e veprave penale ashtu si kanë qenë të detyruar sipas ligjit.

Në aktakuzën e prokurorisë për këtë rast po ashtu, të akuzuar për kryerjen e veprave penale, “tregti e ndaluar, mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, shmangie nga tatimi” janë edhe të akuzuarit, Besim Zeqiri, Ukë Atashi, Xhevat Muzliukaj  Jeton Zymeri, Gentrit Zymeri, Ismet Zeqiri, Driton Spahija, Agim Jashari , Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni.

Mirëpo, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në shkurt të këtij viti prokurori i rastit Njazi Rexha ishte tërhequr nga ndjekja penale për të akuzuarin Ismet Zeqiri, nën akuzën për kryerjen e veprës penale “tregti e ndaluar” ngase, sipas tij, veprimet e të akuzuarit manifestohen me elemente të veprës kundërvajtjes.

Prokurori Rexha ishte tërhequr edhe nga dy vepra të tjera penale, me të cilat ngarkohej i akuzuar Ismet Zeqiri, atë të armëmbajtjes pa leje, për shkak se, siç ka thënë ai, kjo vepër penale ishte përfshirë në amnisti.

Po ashtu në seancën e shqyrtimit fillestar, për shkak të efikasitetit nga ana e gjyqtarit të rastit, Avni Mehmeti ishte veçuar procedura për dy të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Besim Zeqiri dhe Xhevat Muzliukaj, të cilët kanë munguar në dy seanca, duke shtuar se çështja penale ndaj tyre do të shqyrtohet ndaras prej të tjerëve.

Ndërsa sipas aktvendimit të marrë nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, për kundërshtimin e provave, është vlerësuar se aktakuza e Prokurorisë, është hartuar në përputhje me nenin 241 të Kodit të Procedurës Penal të Kosovës, për të akuzuarit Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti, Besim Zeqiri, Ukë Atashi, Xhevat Muzliukaj  Jeton Zymeri, Gentrit Zymeri, Driton Spahija, Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për çfarë sipas vendimit të siguruar nga KALLXO ndaj këtyre të akuzuarve nuk ekzistojnë asnjë nga kushtet ligjore për hedhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicë, zyrtarët policorë Mentor Dallku, Ruzhdi Kajtazi, Beqir Dajakaj, Bedri Haliti, Mustafë Osmanaj, Haxhi Vojvoda, Sllavisha Zhivkoviq, Agron Hyseni, Shukri Basholli, Nexhat Imeri, Avdi Beqiri dhe Nazif Salihi, akuzohen se gjatë muajve mars dhe prill të vitit 2013 derisa kanë qenë në orarin e punës duke punuar në pika kontrolli të ndryshme, në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre si persona zyrtarë.

Kjo aktakuzë ngarkon edhe të pandehurit Agim Jashari, Liridon Hyseni, Etrit Idrizi, Ali Muzliukaj dhe Canabeg Hyseni, për kryerjen e veprës penale të ndihmës për kryerjen e veprës penale “tregti e ndaluar”.

Po ashtu Jeton Zymeri, Driton Spahija dhe Ukë Atashi akuzohen se në bashkëkryerje në fshatin Shupkovc të Mitrovicës në vazhdimësi pa autorizim kanë shitur e blerë apo edhe shkëmbyer derivate të naftës, paraprakisht duke organizuar rrjetin e shitësve-blerësve si dhe të ndërmjetësve, duke realizuar përfitimin i cili kalon shumën 15.000 euro.