Tillerson dhe Lavrov, Foto: REL/Tass

Tillerson dhe Lavrov Biseduan për Korenë Veriore, Ukrainën dhe Sirinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, kanë biseduar sot me telefon për krizat aktuale në Siri, Korenë Veriore dhe Ukrainë, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert.

“Për Ukrainën, sekretari ka theksuar takimet e ardhshme ndërmjet përfaqësuesit special të ShBA-së Volker, dhe përfaqësuesit rus Surkov, dhe ka nënvizuar nevojën që Rusia ta përshpejtoj implementimin e përkushtimeve të veta sipas Marrëveshjeve të Minskut dhe ta kthej përshkallëzimin aktual në luftimet në pjesën lindore të Ukrainës”, tha Nauert.

Për Sirinë, ajo ka thënë se të dy zyrtarët e lartë “diskutuan për rolin e Rusisë për të qenë të sigurt se regjimi i Assadit luan rol konstruktiv në procesin e Gjenevës, që udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara”, dhe ka shtuar se sekretari Tillerson u ka bërë presion “të gjitha palëve” për implementimin e aksionit të udhëhequr nga OKB-ja ndaj Koresë Veriore./REL