Qëndrimet e Dardan Bibajt për taksën, martesat, shamitë e Telekomin

Dardan Bibaj kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në intervistën për KALLXO.com tregon qëndrimet e tij sa i përket çështjeve të caktuara për çka edhe u pyet.

Bibaj i cili është nga Ferizaj tregon se nëse merr mandatin dhe besimin e qytetarëve që t’i përfaqësoj ata në kuvend do të shtyjë kauzë për të rinjtë dhe qasjen e tyre në institucione për zhvillimin në biznese.


Gjithashtu Bibaj tregon se synimi i tij i vetëm është që të bëhet deputet e jo të marrë ndonjë post ministror.

Bibaj thotë se taksat që i lehtësojnë zhvillimet e bizneseve duhet të ulen ndërsa gjërat lluksi sipas tij duhet të rriten.

Tri amandamentet e para të Bibajt do të prekin çështjet e rinisë, zhvillimit ekonomik dhe gjyqësorit.

E tri problemet e Komunës së Ferizajt sipas tij janë infrastruktura, shëndetësia dhe arsimi.

Bibaj thotë se nuk do ta ndërroj partinë dhe as nuk do të votoj kundër grupit të tij parlamentar.

Të gjithë përsonat të cilën e ndjejnë vetën të diskriminuar do ta kenë përkrahjen e Bibajt ndërsa shton se në lidhje me përmirësimin e ajrit dhe ambientit të ndotur do të veprojnë sipas planit të LDK-së.

Bibaj thotë se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, përdorimit të qeseve të plastikës, shitjes së Telekomit të Kosovës e ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

Ai shton se është kundër edhe shkëmbimit të territoreve dhe heqjes së tarifës me Serbinë.

Gjithashtu Bibaj thotë se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës ndërsa është pro mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Bibaj shton se është kundër monopolit në homologim dhe është i papërcaktuar sa i përket martesave mes gjinisë së njejtë dhe bartjes së shamive në shkolla.

Ai tregon për KALLXO.com edhe se është për kuotë për deputetë nga diaspora, për ridizajnim të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar dhe për heqjen e kartonit të gjelbërt për diasporën.

Sipas tij fushatën po e financon partia me të cilën është ndërsa shton se ka pasur vetëm një vend pune deri sa të merr postin e deputetit ku më pas Bibaj thotë se do të vazhdoj ta mbajë vetëm atë post.

Bibaj thotë se nuk e di saktë të hyrat mujore ndërsa shton se ka pasuri të përbashkët me bashkëshorten.

Ai shton se në rast se ka pasur nevojë për tretman mjekësor ka shkuar në spitale publike ndërsa nuk mendon se do të ndërroj edhe nëse merr postin e deputetit.

Fëmija i Bibajt është në shkollë private ndërsa thotë se edhe familjarët e tij janë të punësuar në sektor privat.

Për fatin e Trepcës Bibaj thotë se duhet të mbetet nën qeverisje shtetërore ndërsa shton se votën do ta kushtëzoj me çdo projekt që është në të mirë të qytetarëve.

Projekti me të cilin do të lë gjurmë Bibaj është ajo që prek të rinjtë e Kosovës.

Bibaj thotë se pyetje parlamentare që do të parashtroj në kuvend do të jenë deri në 20 ndërsa premton se cdo muaj do ta mbajë një takim me qytetarë.

Importi i makinave nuk duhet të lejohet sipas Bibajt për veturat që janë më të vjetra se 8 deri në 10 vite ndërsa mendon se një dëgjim publik do të ishte mirë të inicohet nga ana e tij në komisionin që do të jetë pjesë nëse merr mandatin e deputetit.

Ai thotë se nëse i ngritet aktakuzë do të jap dorëheqje si dhe do të votojë rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

Ai thotë se një ministri duhet t’i ketë më së shumti 2 zëvendësministra ndërsa shton edhe se nuk do të i votojë për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim.

Bibaj thotë se do të bëj transparente fondet e partisë dhe shpenzimet në kuvend apo ministri.