Kush po e financon fushatën e Liburn Aliut

Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, tani kandidat për deputet, Liburn Aliu në një intervistë për KALLXO.com ka folur për disa çështje.

Kauza që Aliu pritet ta shty përpara nëse bëhet deputet, thotë se është barazia mes qytetarëve.


Duke folur për taksat ndaj qytetarëve se cilat duhet rritur e cilat duhet zvogëluar, Aliu thotë se taksat e luksit, duhet rritur, ndërsa ato që lidhen me mirëqenien e qytetarët duhet zvogëluar.

Para pak ditëve, Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj Liburn Aliut për pengim të personit zyrtar. Aliu akuzohet për shkak se kishte marrë kartelat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke tentuar të pengonte votimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

https://kallxo.com/ligji/gjykata/pak-para-zgjedhjeve-prokuroria-ngrit-aktakuze-ndaj-liburn-aliut/

I pyetur nga KALLXO.com nëse do të jep dorëheqje në rast të ngritjes së aktakuzës dhe në rast se do të votonte për rrëzimin e Qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë, Aliu thotë se e gjithë kjo varet nga lloji i aktakuzës.

“Nëse aktakuza është politike, e natyrës politike, Jo. Shumë herë kam qenë i akuzum edhe unë edhe mjaftë të tjerë që kanë qenë të akuzuar politikisht. Çfarëdo aktakuzë që ka të bëjë me krim, do duhej t’i nënshtrohej dorëheqjes morale”, tha Aliu për KALLXO.com.

I pyetur nëse pro apo kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, Aliu thotë se nuk është kundër, ndërsa për bartjen e shamisë, ai ka deklaruar se pas moshës 16 vjeçare, mund të bartin shami.

Aliu ka deklaruar gjithashtu se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë më qymyr, shitjes së telekomit e privatizimit të Trepçës.

AI poashtu ka deklaruar është kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Aliu thotë se amendamentet e para që do t’i propozoj do të jenë për ligjin e konfiskimit të pasurisë.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të LVV-së, Liburn Aliu:

 

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Liburn Aliu: Kauza e barazisë mes qytetarëve.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Liburn Aliu: Varet prej subjektit që më ka kandiduar, varësisht prej politikave që mund t’i ketë.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Liburn Aliu: Taksat e luksit duhet të rriten, ndërsa kërkesat elementare për mirëqenien e qytetarit duhet të ulen.

KALLXO.com: Cilat janë tri amandamentet e para që keni me i propozu?

Liburn Aliu: Tri amendamentet e para kanë të bëjnë me ligjin për konfiskimin e pasurisë, me mënyrën se di do të trajtohet pasuria e fituar në mënyrë të jashtëligjshme.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Liburn Aliu: Komuna prej së cilës vij unë i ka problemet e përgjithshme që i kanë të gjitha komunat, që kanë të bëjnë me arsimin, shëndetësinë dhe sigurinë.

KALLXO.com: A ka gjasa me e nderru partinë ku jeni tash?

Liburn Aliu: Jo.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Liburn Aliu: Po.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Liburn Aliu: Shtresat e varfëra besoj se do të ndihen të përfaqësuara nga qëndrimet e mia në Kuvend.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Liburn Aliu: Është një nga prioritetet kryesore të mija personale dhe të subjektit ku jam.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Liburn Aliu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Liburn Aliu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Liburn Aliu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Liburn Aliu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Liburn Aliu: Jam që autostrada e Dukagjinit të jetë e hapur në trajektoren ekzistuese dhe jo me shpronësime e me afera korruptive, çfarë pritet të jetë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Liburn Aliu: Çfarëdo lloj marrëveshje me Serbinë duhet t’i paraprijë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Nuk do duhej të kishte asnjë lloj marrëveshje me Serbinë, pa pasur njohje. Duhet të ndodhë njohja nga ana e Serbisë, pastaj është çështje e vullnetit të popullit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Liburn Aliu: Jam për reciprocitet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Liburn Aliu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Liburn Aliu: Nuk kam përgjigje.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homoligim?

Liburn Aliu: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Liburn Aliu: Jam për, nëse duhen ata.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Liburn Aliu: Mbi moshën e pjekur 16 vjeçare, jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Liburn Aliu: Jam për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzu?

Liburn Aliu: Jam për ridizajnimin.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën?

Liburn Aliu: Patjetër.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Liburn Aliu: Financimin kryesor e kemi nga buxheti i Kosovës dhe kryesisht janë bizneset e vogla, qytetarët.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Liburn Aliu: Nuk mund të jap asi premtime.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Liburn Aliu: Është rroga e deputetit, që është rreth 1 mijë e 400 bazë me ato shtesat e mundshme mundë të arrijnë deri në 1 mijë e 700 apo 1 mijë e 800.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me grune/burrin? Nese jo, a keni me e regjistru bashkarisht?

Liburn Aliu: E kemi pasurinë e përbashkët.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Liburn Aliu: Në spital publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Liburn Aliu: Për çdo shërbim që është spital publik, do të shkoj aty.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Liburn Aliu: Në shkolla publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Liburn Aliu: Në familjen time të ngushtë nuk ka të papunë. Ka fëmijë, është gjyshja dhe unë e gruaja punojmë.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Liburn Aliu: Me mbetë nën qeverisjen shtetërore.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Liburn Aliu: Nuk vendosim kushte, ato janë politika të subjektit të cilat i nënshtrohen agjendave politike dhe ideologjike.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilen keni me lane gjurme/trashegimia juaj si deputet?

Liburn Aliu: Mbrojtja e mjedisit dhe mbrojtja e shtresave të varfëra.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Liburn Aliu: Varet çfarë aktakuze. Unë kam qenë shumë herë i akuzuar politikisht.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Liburn Aliu: Nëse aktakuza është politike, e natyrës politike, Jo. Shumë herë kam qenë i akuzum edhe unë edhe mjaftë të tjerë që kanë qenë të akuzuar politikisht. Çfarëdo aktakuzë që ka të bëjë me krim, do duhej t’i nënshtrohej dorëheqjes morale.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Liburn Aliu: Jo

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Liburn Aliu: Nuk e kam idenë, por duhet të jenë shumë pak në krahasim se si janë.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Liburn Aliu: Absolutisht jo.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Liburn Aliu: Patjetër.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Liburn Aliu: Patjetër.