Kandidatja e LDK-së kundër Autostradës së Dukagjinit

Rregullimi i imazhit të Kosovës është kauza të cilën, kandidatja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ardita Dushi do ta shtyej përpara si kauzë në Kuvendin e Kosovës nëse fiton besimin e qytetarëve.

Në një intervistë për KALLXO.com, Dushi tregon se nuk do të mendoj të ndërroj pozitën e deputetes me ndonjë post ministror.


Gjithashtu ajo tregon edhe se cilat taksa duhet të kenë ulje e cilat rritje në Kosovë.

“Ato të cilat i ndihmojnë bizneset, dhe ato që promovojnë bizneset ose i pengojnë duhet të ulen por varësisht prej bizneseve”, thotë Dushi për KALLXO.com.

Në lidhje me amandamentet e para të cilat Dushi do të i propozoj në kuvend do të jenë të menduara mirë si dhe do t’i mbështes siç thotë ajo me vija të partisë së saj.

“Varësisht prej kërkesave nuk kisha thanë dicka se ligjet kërkojnë punë më tepër dhe duhet studiuar më shumë, por bazuar në atë qe kemi pasur deri tash bukur shumë ligje kanë mbet pa u kry për shkak të mospajtimet të ndryshme dhe sigurisht që gjitha këto ligje kanë nevojë poër amandamentim që sigurisht do ta mbështes me vijat e LDK”, tregon tutje Dushi për KALLXO.com.

Sipas saj problemet komunale nuk ndalen kurrë, deri sa tregon se në Komunën e Prishtinës problemet janë që nga mangësia e urbanizmit e deri te papunësia.

Kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës, nga lista e LDK-së thotë se nuk do ta ndërrojë asnjëherë subjektin e saj politik dhe se nuk do të votojë asnjëherë kundër qëndrimit të grupit të saj parlamentar.

Rinia do të ketë përkrahjen e Dushit gjatë mandatit të saj si deputete ndërsa shton edhe se cilat janë veprimet që do të bëntë për përmirësimin e ajrit dhe ambientit të ndotur në Kosovë.

“Me shumë dëshirë do të kërkoja inicimin e vendosjes së filtrave në termocentral pika e parë, sipas informatave të mia janë vendosur vetëm dy të tilla”, tregon Dushi.

Për disa nga çështjet të cilat morën vëmendje të madhe si në publik ashtu edhe në media, Dushi tregon qëndrimet e saj.

Dushi thotë se është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, djegjes së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, përdorimit të qeseve të plastikës dhe shitjes së Telekomit të Kosovës.

Gjithashtu Dushi tregon se është kundër ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë si dhe heqjen e tarifës me Serbinë.

Kandidatja Dushi thotë edhe se është kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës ndërsa është pro mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Dushi është kundër monopolit në homologim ndërsa tregon se është pro martesave të gjinisë së njëjtë dhe bartjes së shamive në shkolla.

Gjithashtu Dushi tregon se është për kuotës për deputetë nga diaspora, ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar si dhe heqjes së kartonit të gjelbërt për diasporën.

Deri më tani sipas Dushit askush nuk është duke i financuar fushatën dhe tregon se ka vetëm një vend punë ndërsa shton se nëse bëhet deputete do ta mbaj të vetmen punë.

Të hyrat mujore të Dushit janë rreth 1 mijë euro ndërsa shton se pasuri personale ka vetëm një veturë e pjesën tjetër të pasurisë e ka të përbashkët me familjen pasi që ende nuk është e martuar.

Spitalet publike kanë qenë hapësirat ku Dushi ka marrë trajtime mjekësore në rast të ndonjë sëmundjeje ndërsa shton edhe se nëse bëhet deputete do të shkoj sërish në spitale publike.

Fëmijët e Dushit në të ardhmen do të shkojnë në shkolla private ndërsa shton edhe se nuk ka familjarë të papunësuar që të i punoj në kohën kur pretendon të marr mandatin si deputete.

Fati i Trepçës sipas Dushit duhet të mbetet nën qeverisje shtetërore dhe tregon tutje se nuk do të kushtëzoj votën me asnjë projekt.

Puna e Dushit për të cilën do të mbahet mend do të jetë politika e të rinjëve dhe imazhi i kuvendit.

Dushi thotë se rreth 60 pyetje parlamentare do të i parashtroj në seancat e kuvendit por sipas saj kjo varet edhe nga puna e ministrave ndërsa edhe tek çështja e takimeve me qytetarë, Dushi thotë se varet nga kërkesat.

“Varësisht prej kërkesave, një herë në javë do të jem e hapur për kërkesat e qytetarëve”, thotë Dushi.

Makinat më të vjetra se të vitit 2010 nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë sipas Dushit dhe dëgjiimet publike do të varen nga ligjet që dërgohen në komision.

Dushi thotë se do të jap dorëheqje nëse ndaj sajë ngritet aktakuzë si dhe do ta votoj rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

Gjithashtu Dushi tregon se nuk do të votoj një qeveri që ka mbi 15 ministri si dhe një ministri sipas saj duhet të ketë vetëm një zëvendësministër.

Dushi tregon se nuk do të i votoj për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike dhe shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim si dhe do të jetë transparente me fondet e partisë dhe shpenzimet e kuvendit.