Kandidati i Partisë së Drejtësisë abstenon në pyetjen për martesat në mes gjinisë së njëjtë

Kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës, Bahri Bokshi  nga Partia e Drejtësisë (PD), e cila garon në zgjedhje në një listë për përbashkët me Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në, në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se kauza e tij nëse e merr mandatin do të jetë drejtësia.
“Meqenëse edhe subjekti im e ka emrin Partia e Drejtësisë, kauza ime do të jetë drejtësia. Është një fjalë mjaft e shkurtë por me domethënie mjaft të madhe meqenëse drejtësia në Kosovën tonë pas luftës është kah na mungon shumë”, ka thënë ai.

Bokshi është përgjigjur edhe për taksat që duhet të ngritën dhe ato të cilat duhet të ulen në Kosovë.

“Të ulen taksat për prodhuesit vendor që t’ju hapet rruga dhe të jenë konkurrent sidomos me shtetet në rajon. Kisha thënë ato që janë pjesa e luksit e ato që janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, duhani, alkooli e këto gjanat tjera. Pra ato edhe me u ngritë nuk bëjnë dëm për shoqërinë”, ka thënë ai.

Sipas kandidatit për deputet, njëra ndër problemet apo nevojat që përballet më shumë komuna e tij – Gjakova, është cështja e të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë.

“Prej komunës nga vij unë është problemi kryesor prej pas luftës e deri më tani, të pagjeturit. Pak kanë punuar institucionet e Kosovës edhe pse janë munduar me e shty deri në fund këtë problem kryesor të Komunës së Gjakovës”, thotë Bokshi.

Ai ka shtuar se dy problemet tjera janë edhe  infrastruktura si dhe një deponi e mbeturinave në qytet.

“Ne e kemi edhe një deponi të mbeturinave që është shumë afër qytetit. Ata kisha provu që sa më parë me largu, këtë kancer prej komunës sonë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

I pyetur se çka do të bënte për përmirësimin e ajrit në Kosovë, ai ka thënë se do mundohet të nxisë zbatimin e ligjeve aktuale.

“Ligje kemi mjaft por implementimi i tyre është shumë i cekët”, është shprehur kandidati për deputet.

Bokshi ka thënë se është kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, djegies së qymyrit gjatë dimrit dhe përdorimit të qeseve të plastikës.

Sa i përket mundësisë për shitjen e Telekomit të Kosovës, ai është shprehur pro saj si dhe ka dalë në përkrahje dhe të ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

I pyetur nëse është për apo kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, kandidati i PD-së ka abstenuar, ndërkaq ka thënë se është pro bartjes së shamive në shkolla.

Bokshi thotë se pasurinë e ka të përbashkët me gruan e tij ndonëse nuk e ka të regjistruar si të tillë.

“Në emër timin është po ajo është faktikisht…Nuk e shohim problem”, është përgjigjur ai për KALLXO.com.

Kandidati për deputet është zotuar se do të jap dorëheqje nëse ndaj tij ngritet aktakuzë, si dhe do të votojë për rrëzimin e qeverisë nëse ndaj kryeministrit ngritet aktakuzë.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e PD-së, Bahri Bokshi:  

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Bahri Bokshi: Meqenëse edhe subjekti im e ka emrin Partia e Drejtësisë, kauza ime do të jetë drejtësia. Është një fjalë mjaft e shkurtë por me domethënie mjaft të madhe meqenëse drejtësia në Kosovën tonë pas luftës është kah na mungon shumë.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Bahri Bokshi: Nëse ma beson votuesi mandatin e deputetit unë do të mundohem që deri në fund ta çoj deri në fund atë përgjegjësi që ma e kanë dhënë.

 KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Bahri Bokshi: Të ulen taksat për prodhuesit vendor që t’ju hapet rruga dhe të jenë konkurrent sidomos me shtetet në rajon. Kështu që, mendoj pjesa më e madhe e prodhimeve që prodhohen në Kosovë është mirë të ulet taksa e TVSH e nëse kërkohet edhe disa produkteve të ngritet, kisha thënë ato që janë pjesa e luksit e ato që janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, duhani, alkooli e këto gjanat tjera. Pra ato edhe me u ngritë nuk bëjnë dëm për shoqërinë.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Bahri Bokshi: E përmenda vetëm pak më herët, do të thotë këtë taksën për TVSH  në pjesën më të madhe të prodhimeve vendore është mirë që të ulet. Ne nuk është që duhet me zbulu diçka. Shumica e shteteve në rajon e aplikojnë këtë mënyrë të uljes së taksave. Propozimi i parë kish me qenë ulja e taksës së TVSH-së për prodhimet vendore.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Bahri Bokshi: Si secila komunë tjetër, nevojat janë të shumta. Por e paramendoj që prej komunës nga vij unë është problemi kryesor prej pas luftës e deri më tani, të pagjeturit. Pak kanë punuar institucionet e Kosovës edhe pse janë munduar me e shty deri në fund këtë problem kryesor të Komunës së Gjakovës. Probleme të tjera ka të shumta, normal infrastruktura. Ne e kemi edhe një deponi të mbeturinave që është shumë afër qytetit. Ata kisha provu që sa më parë me largu, këtë kancer prej komunës sonë.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Bahri Bokshi: Asnjëherë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Bahri Bokshi: Asnjëherë.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Bahri Bokshi: Do të mundohem që të gjitha ato rastet sociale që janë të shoqërisë të jem përkrahës i tyre. Atyre ju nevojitet më së shumti përkrahja.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Bahri Bokshi: Do të mundohem që të implementohen ligjet që janë në Republikën e Kosovës. Ligje kemi mjaft por implementimi i tyre është shumë i cekët.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Bahri Bokshi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Bahri Bokshi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Bahri Bokshi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Bahri Bokshi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Bahri Bokshi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Bahri Bokshi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Bahri Bokshi: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Bahri Bokshi: Abstenoj për shkak se ka mundësi këtu. Për edhe kundër s’muj me i përkufizu me një përgjigje.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Bahri Bokshi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Bahri Bokshi: Kundër monopolit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Bahri Bokshi: Abstenoj këtu se nuk mund ta përkufizoj me një fjali.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Bahri Bokshi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Bahri Bokshi: Për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Bahri Bokshi: Për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Bahri Bokshi: Për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Bahri Bokshi: Me vetëfinancim.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Bahri Bokshi: Një vend e kam tash të punës, por kur të jem deputet besoj se vetëm deputet do të jem.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Bahri Bokshi: Të hyrat mujore janë, paga është 200 euro dhe pasuri kemi të trashëguar prej familjes. Kemi banesë, shtëpi, shtëpi pushimi.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Bahri Bokshi: Normal.

KALLXO.com: A e keni të regjistruar si të përbashkët pasurinë?

Bahri Bokshi: Në emër timin është po ajo është faktikisht…Nuk e shohim problem.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Bahri Bokshi: Publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Bahri Bokshi: Varësisht prej sëmundjes.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Bahri Bokshi: Janë në shkolla të kombinuara; edhe publike, edhe private.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Bahri Bokshi: Nëse e kryejnë janë në studime, nëse e kryejnë normal nëse hapet ndonjë vend i punës punësohen. Nëse s’ka s’kam qysh me i punësu. Për momentin jam unë edhe bashkëshortja, të punësuar.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Bahri Bokshi: Mendoj me u privatizu.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Bahri Bokshi: Meqenëse aty është fushë e gjerë, më së pari duhet të studiohet se cila është më prioritare dhe në bazë të prioriteteve tjera besoj që do të vendosim.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Bahri Bokshi: do të mundohen  gjithë ata që ma japin përkrahje  për me qenë deputet, zëri i tyre të jem unë. Të gjitha nevojat që i kanë tua përcjelli në Parlament.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Bahri Bokshi: Brenda një viti, varësisht se sa seanca do të mbahen gjatë vitit, do të thotë sa herë ka me pas pyetje parlamentare. Do të provoj të gjitha ato që janë të nevojshme, varësisht prej kohës dhe situatës.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Bahri Bokshi: Besoj që do të mbajmë shumë. Prapë varet edhe prej kërkesës së qytetarëve. Unë e thashë dhe më herët mendoj që ta kem vetëm këtë detyrë, asnjë punë tjetër mos ta kryej sa jam deputet. Minimum 5 takime gjatë muajit për shembull.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Bahri Bokshi: Unë mendoj deri në 10 vite, më shumë se 10 vite mendoj që është shumë e dëmshme.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Bahri Bokshi: Besoj deri në pesë.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Bahri Bokshi: Gjithsesi, ne kemi qenë shembull për partitë tjera.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Bahri Bokshi: Gjithsesi.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Bahri Bokshi: Jo.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Bahri Bokshi: Maksimumi duhet të jenë 2 zëvendësministra, po bën edhe 1.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Bahri Bokshi: Assesi.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Bahri Bokshi: Gjithsesi.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Bahri Bokshi: Po, po. Normal