Greva ne arsim - SBAShK-u ne Komunen e Lipjanit - 16.01.2019 - FOTO KALLXO 5

Thirret seancë e jashtëzakonshme për kompensimin e orëve të humbura në arsim

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me çështjen e kompensimit të orëve të humbura të mësimit gjatë 15 ditëve të grevës së mësimdhënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë në fillim të këtij viti.

Deputetët nënshkrues kanë kërkuar që Kuvendi të diskutojë mbi situatën e krijuar në arsim pas vendimit të SBASHK-ut për të refuzuar kompensimin e orëve të humbura, përkatësisht së paku 15 njësi mësimore gjatë grevës 3 javore nga 14 janari deri me 1 shkurt 2019.

Fillimisht sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e 42 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.

Pas mbledhjes së Kryesisë, në orën 11:00 Kuvendi pritet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme.

Çështja e kompensimit të orëve të humbura mësimore gjatë grevës së mësimdhënësve ka mbërritur edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit të Kosovës (SBASHK) ka dorëzuar padi ndaj vendimit të ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili përmes një vendimi ka kërkuar kompensimin e këtyre orëve.

Vendimi i ministrit Bytyqi ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, por ai nuk është respektuar nga shumica e shkollave fillore dhe ato të mesme.

Mësimdhënësit në Kosovë më 14 janar patën nisur grevën, e cila zgjati për tri javë, me kërkesën për rritjen e koeficientit të pagave për 30 për qind. Greva ishte ndërprerë pas marrëveshjes me institucionet përgjegjëse, se Ligji i ri për paga do të përafrojë kërkesën e tyre.