Therrat e Llukës

Thonë se mbi 200 mijë veta kishin marrë pjesë në një tubim të paprecedent në fillim të majit të vitit 1990 në vendin e quajtur Verrat e Llukës në Deçan.

Mbi 100 gjaqe e ngatërresa midis familjeve nga rajoni i Dukagjinit ishin falur atë ditë në atë log burrash duke shënuar tubimin më masiv të këtij misioni që ia kishin vënë vetes Anton Çetta dhe grupi i intelektualëve dhe studentëve të kohës.

Por vendi i asaj krenarie lokale dhe jo vetëm, tani është për të të ardhur keq.

Mbeturinat ia kanë zënë vendin një kujtimi të mirë që njerëzit mund ta ruajnë në kujtesën e tyre.

Pastrimi dhe menaxhimi i kësaj lëndine të lënë nën mëshirën e hedhësve të mbeturinave ishte pjesë e premtimeve që Rasim Selmanaj i kishte bërë publikisht në vitin 2013 kur kishte dalë në debat parazgjedhor në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Gjendja nuk ka ndryshuar që atëherë.

Mund edhe të ketë ndryshuar, por vetëm për të keq. Aty gjendet deponia më e madhe ilegale e mbeturinave në Deçan

Selmanaj tha se e ka pastruar një herë ketë ambient ku është shënuar 20 vjetori i mbajtjes së Kuvendit të Verrave të Llukës, në vitin 2010, por vendi prapë është mbushur mbeturina. Ai tha se e ka një projekt për vendin historik të Deçanit dhe Kosovës që do ta realizojë dy vitet e ardhshme.

“Në projektin që na e kemi hartuar e që do të ndodhë këtë vit komplet hapësira e Verrave të Llukës do të rrethohet me mur të gurit, do rrafshohet dhe do gjelbërohet pjesa përbrenda dhe do ta trajtojmë pjesën e lumit që përfshin komplet territorin e Verrave të Llukës si kompleks memorial dhe vend historik”, tha Selmanaj.

Ai ka dalë para asamblistëve të komunës që drejton tash e gjashtë vjet dhe Jeta Xharrës në emisionin “Jeta në Komunë” për t’u përgjigjur për therrat në Verrat e Llukës dhe për premtimet tjera të dhëna dy vjet më parë.

Atëbotë ai kishte premtuar edhe asfalt, ujësjellës, rregullimin e çështjessë ujrave të zeza, hidrocentrale…

Selmanaj tha se ka realizuar edhe shumë punë tjera të cilat nuk i kishte premtuar por që kanë ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve. Përveç asfaltit, ai tha të ketë bërë investime në kanale të ujitjes, sport dhe arsim.

Si kandidat i AAK-së, Selmanaj qeveris në Deçan që nga viti 2010. Kur kërkoi mandatin e dytë u tha qytetarëve të Deçanit që shumë probleme elementare do zgjidhen gjatë katër vitet e ardhshme.

Dy vitet e para të qeverisjes komunale ishin të fokusuara në kryesisht në rrugë, njëjtë si mandatin paraprak.

Dorën në zemër, pak rrugë kanë mbetur pa asfalt, por ka shumë mungesa tjera elementare për banorët e kësaj komune. Kryetari ndihet i privilegjuar sepse shumë punë për banorët e Deçanit do  mund t’i rregullonte bashkë me vëllezërit e tij, që mbajnë postet udhëheqëse në institucionet e Deçanit.

Megjithatë, ka ende probleme me ujë të pijes, objekt të zjarrfikësve, borxhe të komunës, si duket vëllezërit Selmanaj nuk janë “koordinuar” aq mirë mes vete këto dy vjet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së,Ramadan Tahiri, tha se shqetësimi kryesor në Deçan është uji i pijes për të cilin  Selmanaj kishte premtuar se do ta zgjidhë. Tahiri theksoi së në fshatin Strellc nuk është realizuar projekti i ujësjellësit, kurse për projektin e dhjetë fshatrave ai tha banorët e rajonit të Vokshit nuk janë të kënaqur me atë ujësjellës.

“Mbetet që popullata e atyre 10 fshatrave që Kryetari thotë së projekti është kah fundi të pyeten sa janë të kënaqur me atë ujësjellës”, tha Tahiri.

Kurse Jeta Xharra e pyeti Kryetarin Selmanaj pse nuk ka orëmatës të ujit tek banorët e 10 fshatrave të regjionit të Vokshit dhe si mund të bëhet inkasimi dhe parandalimi i përdorimit të ujit.

Selmanaj pranoi që ka mungesë të orëmatësve por arsyetohet me mungesë të mjeteve financiare.

“Në projektin e ujësjellësit për 10 fshatra i kemi dy çështje pa kryer, pusetat edhe orëmatësit. Jemi vonuar në mungesë të mjeteve, tash i kemi planifikuar”, tha Selmanaj.

Në anën tjetër, vëllai i Kryetarit, asamblisti i AAK-së, Nazmi Selmanaj, njëherë edhe udhëheqës i ujësjellësit në Deçan, tha se fituesi i tenderit ka qenë dashur t’i vendosë orëmatësit por nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Projekti nuk është i përfunduar, ai që ka fituar tenderin për me kry punën ka pasur për t’i vendosur orëmatësit, nuk e ka kryer punën dhe pritet që ketë vit t’i vendosë. Tash për tash nuk paguajnë njerëzit ujë deri sa nuk ka orëmatës”, tha asamblisti Selmanaj.

Nazmi Selmanaj u pyet nga Jeta Xhara edhe për punimet në hidrocentrale të cilat shpesh herë kanë prishur dhe lenë pa ujë deçanasit.

Shefi i “Ujësjellësit” për Deçan e pranon që ka pasur defekte të ndryshme gjatë punimeve në hidrocentrale që kanë ndikuar negativisht në çështjen e ujësjellësit.

Kurse Rasim Selmanaj tha se kompania që ka kryer punimet në dy raste është paditur në gjykatë nga komuna për shkak se e ka dëmtuar ujësjellësin dhe “varet së gjykata çfarë gjobe do të zbatojë për ata që realisht e kanë prishë”.

Ai po ashtu shtoi që me kontratë pasi të përfundojnë punimet në hidrocentrale, duhet të të riparohet degradimi i ambientit në atë zonë.

Hyrije Dobrunaj nga LDK-ja tha se nuk bëhet fjalë për dëmtim të ujit por humbje të tij.

As premtimin për bursat e studentëve Kryetari i Deçanit nuk e ka realizuar. Ai u pyet nga asamblistja e PDK-së, Merita Binakaj, se pse nuk janë ndarë bursat për studentët edhe pse ato janë votuar në buxhet.

“Nuk janë realizuar edhe pse në buxhetin e vitit 2015 janë dhanë 30 bursa në vlerë prej 20 mijë eurove. Ato janë votuar në buxhet”, tha Binakaj.

I pari i Deçanit tha së në mungesë të hyrave vetanake nuk kanë mundur t’i sigurojnë fondet për bursa studentore.

Jeta Xharra pyeti Selmanajn edhe për borxhin qe Komunës ndaj kompanisë së vëllait të tij e cila ka fituar tenderin për furnizimin me materiale shpenzuese dhe për padinë në gjykatë që vëllai i kryetarit ia ka bërë komunës për mos kryerje të borxhit.

E Hyrije Dobrunaj nga LDK-ja kërkoi të dijë nga Rasim Selmanaj se sa është borxhi i përgjithshëm i komunës së Deçanit.

Jeta Xharra shtroi pyetje edhe për objektin e zjarrfikësve që ende nuk po shfrytëzohet nga askush, ndërsa ka probleme mes kompanisë dhe komisionit vlerësues. Selmanaj u pyet se si do ta bindë shefin e njësitit të zjarrfikësve që të futen në objektin e padëshiruar për ta.

Në debat me Rasim Selmanaj dhe asamblistë të Deçanit u diskutua edhe për mungesën e ndriçimit publik dhe pasigurinë që krijohet për gjininë femërore që rrallë e hiç frekuentojnë rrugët e Deçanit gjatë mbrëmjes.