Gjykata Speciale nis trajtimin e raportimit të KALLXO.com për takimin e gjykatësit me avokatin e Sami Lushtakut

19: 04

Pa u mbushur 24 orë nga raportimi i KALLXO.com për takimin e dyshimtë të Avokatit të Sami Lushtakut me gjykatësin e Gjykatës Speciale Vladimir Micula tribunali ka nisur trajtimit të rastit.

Në një përgjigje për KALLXO.com zëdhënësja e tribunalit Angela Griep ka konfirmuar se kryetarja e Gjykatës Speciale është duke u marrë seriozisht me rastin

“Dhomat e Specializuara të Kosovës dëshirojnë t’ju informojnë se çështja do të trajtohet me kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, sipas rastit” ka thënë Griep.

Ajo ka shtuar se presidentja e gjykatës ka lëshuar deklaratë për shtyp për këtë çështje duke sqaruar se Micula nuk ka qasje në çështjet sensitive të gjykatës.

 

05/03/2019

Vladimir Mikula është gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Angela Griep nga zyra për medie e Gjykatës Speciale.

Mbrëmë vonë gjykatësi Mikula është parë në një darkë me avokatin Arianit Koci, i cili kishte qenë edhe mbrojtës i Sami Lushtakut, i intervistuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale.

Sipas zyrës për informim, gjyqtari Mikula figuron në regjistrin e gjyqtarëve ndërkombëtarë.

“Gjyqtari Mikula është caktuar në regjistrin e gjyqtarëve ndërkombëtarë. Gjyqtarët në regjistrin e gjyqtarëve ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës janë vetëm të obliguar të ushtrojnë funksionet zyrtare sipas kërkesës dhe sipas caktimit nga Presidenti i DhSK, Presidentja Trendafilova”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Gjykatës Speciale.

Ky institucion i drejtësisë nuk ka komentuar darkën ndërmjet avokatit Koci dhe gjykatësit Mikula mbrëmjen e së hënës në njërin prej restoranteve në qendër të Prishtinës.

“Gjyqtari Mikula nuk është caktuar në asnjë rast nga Presidentja Trendafilova dhe rrjedhimisht nuk jemi në pozitë për të komentuar më tej”, thuhet në përgjigje.

13:00

Vladimir Mikula, që aktualisht në listën pritjes për gjyqtar në Gjykatën Speciale, mbrëmë është parë në një darkë së bashku me avokatin Arianit Koci.

Në një përgjigje për KALLXO.com nga zyra për medie e EULEX-it thuhet se Vladimir Mikula aktualisht mban pozitën e Monitoruesit për Drejtësi në këtë Mision.

“Vladimir Mikula aktualisht është Monitorues për Drejtësi që shërben në EULEX”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media.

Tutje, misioni i ELUEX-it shpjegon se Vladimir Mikula nuk mbanë ndonjë funksion ekzekutiv.

“Në përputhje me mandatin e tanishëm të EULEX-it nuk e mban asnjë funksion ekzekutiv gjykimi”, thuhet tutje në përgjigje.

EULEX ka refuzuar të komentoj ndikimet e mundshme që mund t’i ketë Vladimir Mikula te avokati Koci, apo anasjelltas.

“Ky Mision nuk është në pozitë që të komentojë lidhur me angazhimet private të z. Mikulas”, përfundon përgjigja e ELUEX për KALLXO.com

KALLXO.com raportoi se natën e së hënës në njërin prej restoranteve të Prishtinës u panë duke darkuar gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula dhe avokati Arianit Koci.

10:00

Koci, që është edhe avokat i Sami Lushtakut që së fundmi u intervista nga Gjykata Speciale në Hagë të Holandës ka dhënë sqarimin për darkën e mbrëmshme ku i pranishëm ishte edhe gjykatësi në listën e pritjes së Gjykatës Speciale dhe gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula.

Avokati Koci ka thënë shkurt për KALLXO.com se kishte dalur në një vend publik me gruan e tij dhe shoqet e saja, ndërsa nuk e kishte ditur se në tavolinën e darkës do të ishte edhe gjykatësi Mikula.

“Është dashur të më pyetni për koment para se ta publikonit tekstin, dhe e kishit kuptuar që kam dalur në një vend publik, në qendër të Prishtinës, me bashkëshorten time dhe shoqet dhe trajnerin e saj”, ka shpjeguar Koci.

Avokati Koci, gjithashtu ka thënë se në atë darkë të pranishëm kanë qenë mbi 15 persona, kryesisht njerëz që merren me palestër dhe ushtrime fizike.

“Në tavolinë kanë qenë mbi 15 persona- grupi i individëve që merren me aktivitete fizike, çdo mëngjes, në palestrën ku ushtron Merita, gruaja ime” thuhet në përgjigjen e avokatit Koci dhënë për KALLXO.com