Pas takimit në Bruksel, Foto: SEAE

Thaçi: Vuçiqi ishte arrogant

Presidenti Hashim Thaçi, ka thënë se diskursi i Serbisë gjatë takimit ka qenë arrogant ndërsa ai i Kosovës ka qenë ballafaqimi me argumente.

Këto deklarata Thaçi i bëri pas takimit të cilin e pati në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Frederica Mogherini.

“Diskursi ishte agresiv dhe arrogant nga Serbia dhe Vuçiq ndërsa diskursi ynë ishte i argumenteve dhe i anës së drejte i një marrëveshje të balancuar që nënkupton njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në OKB, janë gjëra të rëndësishme të mëdha këto që  e kemi para nesh ditët e javëve të ardhshme”, tha Thaçi.

Thaçi tregoi se çka u diskutua brenda dhe ftoi që të gjithë politika të bashkëpunojnë në Kosovë që Kosova të triumfoj në përballjen me Serbinë.

“Nuk mund të flas me ditë javë apo  muaj por koha po kalon, afatizimi për arritjen e marrëveshjes po afrohet, mendoj se në Kosovë duhet të mblidhemi dhe të ballafaqohemi bashk me Serbinë që të mos humbin në skenën politike, ne betejën e kemi këtu përball Serbisë. Askush nuk duhet ti frikësohet ballafaqimit me Serbinë”, shtoi ai.

Thaçi shtoi se Beogradi nuk ka nevojë të frikësohet nga Kosova.

“Pozicioni i palës kosovare është i qartë, dialogu nuk ka alternativë, alternativa tjera janë izolimi konfrontimi dhe zërat nacionalist të destabilititetit, prandaj Kosova do të jetë në përputhshmëri të shtetit të shqiptarëve, Beogradi nuk ka nevojë ti frikësohet dialogut Kosova do të jetë e përgjegjshme edhe në dialog edhe në veprimet e saja, nëse Beogradi ka menduar se do ta ketë lehtë me palën kosovare ka gabuar, argumentet tona nuk duhet ta lëkundin Beogradin”, tha ai.

Ai ri-theksoi se procesi i marrëveshjes së dialogut me Serbinë nuk është i lehtë ndërsa shtoi edhe se përfaqësimi me i gjerë i politikës kosovare në këtë proces do të bëj që Kosova t’ia dal edhe kësaj here.

“Mbetet të shihet se si do të lëvizin gjërat por mund të them përsëri që është një sfidë jo e lehtë të ballafaqohemi këtu. Mendoj se është me interes që e gjithë skena politike kosovare që të marrë energjinë dhe të vijnë këtu në mënyrë që të shënojmë progres që të jetë një proces gjithëpërfshirës dhe i pranueshëm. Është një shancë historike që të ndodh njohja edhe nga Serbia për
Kosovën. Dua të besoj në vullnetin e njerëzve që jetojnë në Kosovë. Është momenti i ballafaqimit të tejkalimit të kësaj pengese të madhe të quajtur Serbi dhe Aleksandar Vuçiq”, tha Thaci.

Ai u pyet edhe për një takim të mundshëm mes Thaçit e Vuçiqit në Paris.

“Një takim i tillë dhe i veçantë mes Kosovës dhe Serbisë në Paris nuk është i planifikuar. Do të kemi pjesëmarrje në takime të ndryshme botërore si shtete të pavarura”, tha ai.