Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi .rel

Thaçi u bën thirrje të ftuarve të Speciales të mos ikin nga drejtësia

Pas disa ditë heshtjeje Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ndaj ftesave të para që Gjykata Speciale i ka bërë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së.

Presidenti Thaçi ka thënë që Kosova edhe pse ka qenë viktimë e agresionit ka themeluar dhomat e specializuara në besim të drejtësisë, duke kërkuar nga të ftuarit që t`i përgjigjen pozitivisht ftesat dhe të mos i ikin drejtësisë.

“Kosova, edhe pse e viktimizuar, duke besuar në të vërtetën dhe drejtësinë, i themeloi Dhomat e Specializuara në verën e vitit 2015-të. Luftëtarët tanë të lirisë, çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë. Edhe sot, në situatën e re të krijuar, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet t’i ruajë dhe kultivojë vlerat fisnike prej luftëtari, duke iu përgjigjur Dhomave të Specializuara me korrektësi qytetare dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sipas tij luftëtarët e lirisë janë përballur vazhdimisht me drejtësinë, por sipas tij rasti i Gjykatës Speciale është precedent për vendet e rajonit.

“Luftëtarët e lirisë, për të dëshmuar të vërtetën dhe drejtësinë e luftës së tyre, kaluan nëpër sisteme gjyqësore të njëpasnjëshme të udhëhequra nga ndërkombëtarët. Ata kaluan nëpër sistemin gjyqësor të UNMIK-ut, të Tribunalit të Hagës dhe të EULEX-it, për t’u riballafaquar më pas edhe me kërkesën e aleatëve tanë për themelimin e Dhomave të Specializuara, që ishte precedent në raport me vendet e tjera të rajonit të dala nga lufta”, ka thënë tutje ai.

Presidenti Thaçi po ashtu ka përmendur edhe pasojat e luftës së fundit në Kosovë.

“U vranë mbi 13 mijë civilë shqiptarë dhe u dhunuan rreth 20 mijë gra shqiptare. U zhdukën rreth 3 mijë persona dhe u shkatërruan rreth 40 për qind e infrastrukturës. U zhvendosën dhunshëm nga shtëpitë dhe pronat e tyre rreth 1 milion shqiptarë dhe e gjithë kjo fushatë çnjerëzore u ushtrua nga Serbia”, ka theksuar ai.

https://kallxo.com/haradinaj-u-ben-thirrje-te-ftuarve-te-speciales-te-mos-u-shmangen-drejtesise/

https://kallxo.com/komandanti-i-uck-se-refuzon-ftesen-e-gjykates-speciale/

 

https://kallxo.com/haradinaj-ftesat-e-speciales-nuk-jane-kijamet/