Thaçi: Transformimi i FSK-së do të bëhet në koordinim me NATO-n

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi sot nga forcat politike të Kosovë që unitetin e treguar sot në Kuvend në votimin e ligjeve për transformimin e FSK-së ta tregojnë edhe në të ardhmen.

“Të bashkuar do të jemi më të fuqishëm dhe do të marrim vendime më të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës”, tha Thaçi në ceremoninë solemne të tranzicionit të FSK-së në ushtri, që po mbahet në atë që prej sot quhet Ministri e Mbrojtjes.

“E gëzofshim Ushtrinë e Kosovës, ne dhe gjeneratat që do të vijnë”, tha Thaçi.

“Sot përmbyllëm një proces të nisur para shumë vitesh, rreth tri dekada. Bëmë një hap të rëndësishëm drejt përmbylljes së shtetësisë sonë”, shtoi ai.

Thaçi tha se kjo e arritur është meritë para së gjithash e çdo pjesëtari të FSK.

“Falë kësaj pune është bërë e mundur që të ecim përpara drejt zgjerimit të mandatit të FSK që të bëhet ushtri e Kosovës. Por Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është vetëm ushtri, ajo është kthyer në institucionin më të besueshëm dhe më të respektuar në Kosovë, është bërë institucioni që më së miri paraqet vlerat e shoqërisë sonë”, tha ai.

“Transformimi do të bëhet në koordinim me NATO-n”, tha Thaçi.

Në Prishtinë është duke u mbajtur ceremonia solemne në të cilën do të shënohet tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, pas votimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com është duke e transmetuar drejtpërdrejt këtë ceremoni.