Foto: ZKM

Thaçi: Transformimi i FSK-së me Ndryshime Kushtetuese

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës u rreshtuan sot për nder të 20 vjetorit të betejës së Jasharajve në Prekazndaj forcave serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi foli për luftën e Jasharajve 20 vjet më parë dhe për rrugën e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura.

“Rezistenca e UÇK-së bëri që bota demokratike ta vë në fuqi ushtrinë e forcës euroatlantike. Shtetndërtimi i Kosovës është shumë i rëndësishëm. Sa herë gjendem para jush e shoh Kosovën e ndritur”, tha Thaçi para pjesëtarëve të FSK-së të rreshtuar për nder të këtij përvjetori.

“Rreshtimet tuaja të gjithëve na bëjnë krenarë, na japin forcë, siguri dhe shumë dashuri për atdheun tonë. Si president shpreh respektin tim më të madh për përkushtimin dhe punën tuaj si FSK. Jam i bindur qe hapi i bërjes së Forcave të Armatosura është në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne duam qe Forcat e Armatosura të bëhen me ndryshime kushtetuese”, shtoi ai.

Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj tha se FSk së shpejti do ta marrë “besimin kushtetues” për të qenë, siç u shpreh ai, ushtri e Kosovës dhe aleate e NATO-s.

“Forcat e Armatosura janë të gatshme sot ta mbrojnë diversitetin e Kosovës. Së shpejti do të merrni besimin kushtetues si ushtri e Kosovës dhe aleate e NATO-s”, tha Haradinaj.

Para të pranishmëve foli edhe Rifat Jashari, më i moshuari i familjes Jashari nga Prekazi.

“Sot jemi tubuar qe të kujtojmë bijtë dhe bijat e mbarë kombit shqiptar që patën guxim të kapin armët dhe t’i dëbojnë forcat serbe. Ne pasardhësit e dëshmorëve kemi obligim për hir të tyre, për hir të gjakut të tyre të ulemi, të dëgjojmë gjuhën shqipe, të shkojmë përpara ashtu siç na ka hije si popull dhe si komb”, tha Rifat Jashari.