Thaçi Tërhiqet nga Iniciativa për Ushtrinë, u Kthehet Ndryshimeve Kushtetuese

Në një debat të organizuar nga Lëvizja FOL, kreu i shtetit tha se do t’i japë edhe një mundësi përpjekjeve për t’i bindur përfaqësuesit e komunitetit serb në institucioneve që FSK ta ndryshojë misionin e vet përmes ndryshimeve në Kushtetutë, ashtu siç e kërkon pakoja me të cilën Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008.

“Unë si President ka kohë që kam rifilluar përpjekjet për sigurimin e përkrahjes nga të gjitha komunitetet. Por vetëm përpjekjet e mia janë të pamjaftueshme prandaj kërkoj nga të gjithë që të jenë të angazhuar. Ky rifillim i përpjekjeve tona do të jetë produktiv, i sinqertë, transparent për të gjitha komunitetet”, tha Thaçi gjatë këtij debati.

Ai tha se themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri.

Ndryshimi i qëndrimit të Thaçit erdhi pas kundërshtimeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve tjerë të aleancës që FSK ta ndryshojë rolin e vet përmes ndryshimit në ligj.

Thaçi tha se përderisa FSK është forcë multietnike edhe “FAK do të jetë multietnike”.

“Askush nuk mund të vendosë veto në ushtrinë e Kosovës, ky është proces i pandalshëm”, tha Presidenti Thaçi.

I pyetur se çfarë ndikimi do të ketë tani në Kosovë, zgjedhja e Aleksandar Vuçiqit si president i Serbisë, Thaçi u përgjigj duke thënë se Serbia nuk është qendër rajonale, ajo është vetëm një nga fqinjët e Kosovës dhe se zgjedhja e Vuçiqit si president i saj ka qenë vullnet i njerëzve.

“Serbia është vend fqinj edhe e bën zgjedhjen e vetë edhe kur e ka zgjedh Millosheviqin e ka bërë zgjedhjen e vetë, edhe kur e ka zgjedh Vuçiqin e ka bërë zgjedhjen e vetë, është vullneti i njerëzve të Serbisë. Është me rëndësi të potencoj se Serbia është një nga vendet e rajonit nuk është ndonjë vend në kuptimin e qendrës rajonale por është një nga fqinjët e Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Derisa, ambasadori amerikan Greg Delawie ka deklaruar se Kosova po ngutet që ta themeloj ushtrinë, presidenti Thaçi tha se Kosova ka tre vite që po pret themelimin e ushtrisë dhe se kjo deri tani nuk u bë e mundur për shkak të interesave elektorale.

“Kosova është vonuar me iniciativën për të themeluar ushtrinë. Në vitin 2014 kemi qenë të gatshëm dhe kemi pasur mbështetjen e plotë në atë kohë kur kam qenë kryeministër i vendit, pra mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe të NATO-së për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Kemi pasur mbështetjen e komuniteteve serbe dhe jo serbe për të votuar për kalimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, por për shkak të interesave elektorale në atë kohë është shtyrë ky proces”, tha Thaçi.

Ai theksoi se përdorimi i vetos përmes ndryshimit kushtetues mund të bëhet, por ligjërisht jo, andaj sipas presidentit, askush nuk do të mund të përdorë veto.

Kurse, sa i përket Demarkacionit, Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Liberalizimit të vizave, presidenti Thaçi tha se Qeveria do ta themelojë asociacionin, demarkacioni do të kalojë sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë deri tek liberalizimi i vizave.

“Qeveria duhet ta themelojë asociacionin në përputhshmëri të plotë me kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe opinionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Është e pajustifikueshme që tash e tre vite me u marr vetëm me asociacionin, demarkacionin dhe me viza qe nuk po e krijojnë mundësinë me u marr me çështje tjera. Unë e kam nënshkruar demarkacionin, i besoj asaj marrëveshje e di se është e drejtë. Nuk është më punë mëhallësh as e fisit, nuk është vetëm shtetërore por edhe ndërkombëtare”, tha presidenti Thaçi.