Thaçi: Taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet në fuqi

Kosova ka dalë mirë në Samitin e Berlinit, tha presidenti Hashim Thaçi pas kthimit nga kryeqyteti gjerman.

Në një konferencë për media, Thaçi ka folur për liberalizimin e vizave.

Ai tha se beson që vendet europiane do të reflektojnë për liberalizimin e vizave dhe se është me shpresë lidhur me këtë çështje.

Pritjen më shumë se dyvjeçare pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, presidenti e quajti të panevojshëm dhe ndëshkim dhe mashtrim të qytetarëve të Kosovës.

Presidenti foli edhe për taksën e vendosur nga Kosova ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës.

Thaçi përsëriti se taksa është vendim i drejtë, legjitim dhe që duhet të mbetet në fuqi.

“Nëse Serbia sillet me agresivitet, do të ketë rritje të masave deri në reciprocitet”, tha ai.

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Thaçi tha se takimi i ardhshëm që do të mbahet në korrik në Paris do t’i japë dinamikë të re përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Kemi potencuar se modeli gjerman nuk përputhet me modelin kosovar dhe nuk do të lejojmë të hidhen ide për ndarje të Kosovës apo krijim i ndonjë modeli të Republika Srpskas”, tha ai.

Presidenti foli edhe për seancën dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për dhunimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

“Duhet të ndodh dënimi i gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë”, tha presidenti.

KALLXO.com e transmetoi Live konferencën e presidentit Thaçi