Foto: ZPRK

Thaçi takohet me përfaqësues të partive jo shumicë për situatën politike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka takuar përfaqësuesit e KDTP-së dhe ata të VAKAT nga grupi parlamentar 6+, ministrin në largim, Mahir Yagcilar dhe deputetët Duda Balje dhe Bahrim Sabani.

Ata kanë biseduar për zhvillimet politike pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, pasi Kosova ka mbetur pa qeveri.

Presidenti Thaçi u shpreh se tani shtrohet nevoja për  hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur në vend sa më  shpejtë një qeveri funksionale e efektive.

“Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Sipas këtij njoftimi, takimet me partitë tjera politike do të vazhdojnë në ditët e ardhshme, varësisht nga agjenda dhe zhvillimet brenda vet partive politike përkatëse.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nesër do të takojë edhe kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, për të vazhduar konsultat për hapat e mëtejshëm në këto rrethana të reja.

Nga ana edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj është takuar me të gjithë deputetët e komuniteteve jo shumicë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë edhe partnerët e koalicionit PAN kanë zhvilluar një takim në Qeverinë e Kosovës për gjendjen e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj por i pranishëm nuk ka qenë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.