Hashim Thaçi e Mike Pompeo - Foto: Facebook

Thaçi takohet me Mike Pompeon e Nancy Pelosin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se sot është takuar me Sekretarin e Shtetit të ShBA-së, Mike Pompeo.

Thaçi përmes një postimi në ‘Facebook’, ka bërë të ditur se me shefin e diplomacisë amerikane kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, është rikonfirmuar përkrahja e plotë e ShBA-së për dialogun e Kosovës me Serbinë.

“Si gjithmonë, kënaqësi e veçantë të bisedoj me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo. Edhe sot, në Lutjet e Mëngjesit, biseduam për zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. U rikonfirmua edhe një herë përkrahja e plotë e SHBA-së për dialogun dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe finale të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e presidentit.

Po, ashtu, presidenti Thaçi është takuar edhe me kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosin, të cilën e ka cilësuar si mike e vjetër e Kosovë.

“Në Uashington, kur është në pyetje Kosova, të gjithë flasin me një zë në përkrahje të marrëveshjes së paqes”, ka shkruar Thaçi në Facebook.