Thaçi takohet me kongresistin amerikan Ed Case

Presidenti i vendit, Hashi Thaçi është takuar sot me kongresistin amerikan Ed Case.

Përmes një postimi në facebook, Thaçi ka njoftuar se në takim me kongresistin Case janë pajtuar se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet qenësor për Kosovën dhe rajonin.

“Me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kemi të përbashkët angazhimin për paqe e liri në të kaluarën, por edhe pikëpamjet dhe vizionin për të ardhmen e Kosovës, rajonit dhe botës. Me kongresistin Ed Case u pajtuam se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet qenësor për Kosovën dhe rajonin, si dhe i shpreha mirënjohje për punën që bëjnë ushtarët dhe të gjithë amerikanët që shërbejnë në Kosovë”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka shtuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon, duke ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët dhe duke punuar për marrëveshje përfundimtare të paqes me Serbinë.

“Në këtë synim e kemi mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar Thaçi.